29/05/2023
Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bashkim Nurboja ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore të rajonit që po mbahet në Beçiç të Malit të Zi.
Temë diskutimi e këtij Samiti ishte: “Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit në kohë të pasigurta të krizës së zgjatur gjeopolitike dhe ekonomike”.
Në këtë Samit u diskutua rreth përpjekjeve të bankave qendrore që përmes politikës monetare të ndikojnë në lehtësimin e inflacionit, efektet e masave të FED-it dhe BQE-së në politikat monetare të bankave qendrore në rajon, lehtësimi i pritjeve inflacioniste, pastaj rëndësia e veprimit të koordinuar të politikave fiskale dhe monetare në kohë krize.
U.d. Guvernatori shpalosi përvojën e Bankës Qendrore të Kosovës, përfshirë sfidat dhe mekanizmat në dispozicion me qëllim të lehtësimit të inflacionit dhe ndikimeve të tij.
Para të pranishmëve, Guvernatori Nurboja ka thënë se për shkak të shfrytëzimit të Euros si valutë zyrtare në Kosovë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i ka të kufizuara mundësitë e shfrytëzimit të instrumenteve të politikës monetare, dhe me këtë edhe të ngadalësimit të inflacionit në vend përderisa potencoi se ndikim të rëndësishëm nuk kanë as lëvizjet e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, për shkak se burimi kryesor i financimit të sektorit bankar të Kosovës janë depozitat e mbledhura brenda vendit, përderisa portfoli kreditor pothuajse në tërësi përbëhet nga kreditë e lëshuara brenda ekonomisë së vendit, andaj lëvizjet e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, nuk kanë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit, poashtu edhe ndryshimet në kursin e këmbimit të Euros.
Poashtu, U.d. Guvernatori ofroi të dhëna në lidhje me strukturën e kredive dhe normat e interesit.
Në këtë diskutim U.d. Guvernatori përmendi edhe masat e marra nga Qeveria gjatë periudhës së inflacionit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në vendin tonë.
Gjatë këtij Samiti, U.d Guvernatori Nurboja, ka zhvilluar takime me Guvernator të bankave qendrore të rajonit dhe më gjerë, që po marrin pjesë në këtë ngjarje.
Samiti Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore do të mbahet në datat 29 dhe 30 maj.