Guvernatori Mehmeti zhvilloi takim virtual me përfaqësues të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare

Guvernatori Mehmeti gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim virtual me menaxherin e Bankës Botërore për Kosovë Massimiliano Paolucci dhe përfaqësues të Korporatës Financiare Ndërkombëtare, të udhëhequr nga menaxheri regjional i Korporatës Financiare Ndërkombëtare, Ary Naim dhe udhëheqësi i zyrës për Kosovë, Visar Perani.

Në takim u diskutua lidhur me lancimin e projektit të ri nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, që ka të bëjë me vlerësimin e gjendjes në sektorin mikrofinanciar dhe atë financiar jobankar, si dhe ndryshimet e nevojshme për reformimin e këtij sektori.

Guvernatori Mehmeti i informoi përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në vend, po ashtu i falënderoi për lancimin e projektit dhe shprehu përkushtimin dhe përkrahjen e Bankës Qendrore për projektin.

Menaxheri i Bankës Botërore z. Paolucci dhe menaxheri regjional i Korporatës Financiare Ndërkombëtare z. Naim falënderuan Guvernatorin Mehmeti për takimin dhe përkrahjen, si dhe e informuan për projektin dhe aktivitetet që kanë për qëllim përfshirjen në diskutim të akterëve relevantë, kërkesat për reformim të sektorit, analizën dhe vlerësimin ligjor të sektorit dhe arritjen e rekomandimeve, që do të jenë udhërrëfyes dhe shtytje për vendimmarrësit në ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për reformim të këtij sektori shumë të rëndësishëm.