Guvernatori Mehmeti: Viti 2018 me zhvillime pozitive në sektorin financiar

24/12/2018

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se në vitin 2018, norma reale e rritjes ekonomike është 4%, përderisa në vitin 2019 rritja ekonomike pritet të arrijë në 4.2%.

Në konferencën përmbylljëse të fundvitit, Guvernatori Mehmeti ka përmendur aktivitetin e sektorit bankar që gjatë këtij viti u karakterizua me rritje të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasje të sektorit privat në kredi, si dhe përforcim të mëtejmë të gjendjes së qëndrueshmërisë. 

“Kreditë e sektorit bankar arritën shumën prej 2.7 miliardë euro në tetor 2018, duke shënuar rritje vjetore prej 11.6%. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, vlera e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.2 miliardë euro që paraqet një rritje vjetore prej 6.9%. Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.6% nga 6.8% sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar. Treguesit e shëndetit financiar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë së këtij sektori në të gjitha aspektet. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.7% në tetor 2018, e cila shënoi rënie të mëtutjeshme në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 3.6%”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.

Në kuadër të faktorëve me ndikimin më të rëndësishëm në financimin e rritjes ekonomike, sipas Guvernatorit ishin përshpejtimi i rritjes së kreditimit për sektorin privat, rritja e shpenzimeve publike, si dhe rritja e remitencave të cilat deri në muajin shtator arritën vlerën 587.9 milionë euro e cila është për 6.1% më e lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Me zhvillime të favorshme u karakterizuan edhe sektorët tjerë përbërës të sistemit financiar. Vlera e aseteve të sektorit pensional në shtator 2018 arriti në 1.76 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 11.2%. Gjithsej vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve në shtator 2018 ishte 69.1 milionë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 4.8%. Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 31.5 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.2%. Gjithsej vlera e kredive nga institucionet mikrofinanciare deri në tetor 2018 arriti vlerën prej 177.7 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 29.1%. Sidoqoftë, një rënie e normës së interesit nga niveli aktual mesatar prej 23.1% do ta bënte këtë sektor edhe më konkurrues dhe me rol më të madh në mbështetjen e ekonomisë së vendit”.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka permendur edhe rritjen e angazhimit të BQK-së në funksion të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, duke i shërbyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjes së interesit të publikut, e cila do të rritet gjatë periudhave në vijim përmes programeve të edukimit financiar dhe masave korrektuese ndaj institucioneve financiare.

Në adresimin para mediave, Guvernatori Mehmeti ka përmendur harmonizimin e kornizës rregullatore me zhvillimet e fundit ndërkombëtare në këtë fushë, më konkretisht në Bashkimin Evropian, përpilimin e rregulloreve të ndryshme, ndër të cilat edhe ato që avancojnë aspekte të ndryshme të rregullativës bankare siç janë Rregullorja e SNRF 9 Instrumentet Financiare dhe Rregullorja për Kreditë Jopërformuese dhe Ristrukturimet. Ndërsa ka njoftuar edhe për angazhimin e BQK-së në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke veçuar nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit me Bankën Qendrore Evropiane, e cila i hap rrugë rritjes së bashkëpunimit me këtë institucion dhe sigurimi i kodit ndërkombëtar LEI për Republikën e Kosovës, e cila i mundëson Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës një trajtim të barabartë me bankat tjera qendrore në realizimin e transaksioneve financiare.
Në fund të konferencës u shpallën tri punimet fituese të çmimit “Ekonomisti i ri”, ku Jeton Zogjani e ka fituar vendin e parë, me punimin “The Efficiency and Impact of Banking Electronic Services: Evidence for Kosovo”, Venera Ratkoceri mori çmimin e dytë, me punimin “The effect of Remittances and Foreign Direct Investments in Economic Growth: Evidence from Albania”, ndërsa me vendin e tretë është shpërblyer Bedri Hasanaj me punimin “Karakteristikat e rritjes ekonomike të Kosovës në dekadën e fundit”.