Guvernatori Mehmeti takoi Kryeministrin Hoti dhe Ministren Bajrami

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministren e Financave, Hykmete Bajrami.

Guvernatori Mehmeti falënderoi Kryeministrin dhe Qeverinë për angazhimin dhe përkrahjen që i ka dhënë BQK-së dhe sistemit financiar të Kosovës, derisa shprehu gatishmërinë e plotë të institucionit që drejton ashtu siç ka bërë në të kaluarën, do të vazhdoj edhe në të ardhmen të mbështes politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë së Kosovës dhe do të veproj në pajtim me parimin e ekonomisë së tregu të hapur me konkurrencë të lirë, duke favorizuar shpërndarjen efikase të resurseve.

Sektori bankar para pandemisë ka qenë shumë stabil, gjë që ka ndihmuar në tejkalimin e vështirësive ekonomike gjatë fazës së parë të pandemisë.

Në fund të shkurtit 2020, bankat kishin nivele të larta të mjaftueshmerisë së kapitalit dhe të likuiditetit, dhe ky stabilitet ishte rezultat i menaxhimit të mirë dhe mbikëqyrjes prudente përgjatë viteve.

Në konferencën për media pas takimit, Guvernatori njoftoi për angazhimin e BQK-së që në fillim të pandemisë ku ka aktivizuar Ekipin e Vazhdimësisë së Punës, i cili është takuar 2 herë në javë apo më shpesh, varësisht nga nevoja për të siguruar në vazhdimësi funksionimin e të gjitha proceseve të punës.

“Gjatë gjithë kohës është siguruar funksionimi i rregullt i sistemit të pagesave në mbarë vendin, përfshirë këtu edhe zonat të cilat kanë qenë të izoluara për një periudhë më të gjatë kohore. BQK-ja që në fillim të masave kufizuese, në muajin mars, ka treguar proaktivitet të lartë që, në kuadër të instrumenteve që ka në dispozicion, të ndihmojë agjentët ekonomikë në përballimin sa më të lehtë të kësaj krize ekonomike. Masat e ndërmarra nga ne në situatën emergjente, kryesisht kanë pasur për qëllim ndihmën në ruajtjen e likuiditetit të individëve dhe të bizneseve, duke u mundësuar atyre që të shtyjnë pagesat e kësteve kreditore. Pas fazës emergjente këto masa më pas u pasuan me lehtësime të tjera për bankat që t’i mundësojnë huamarrësve të prekur nga kriza ristrukturimin e kredive të tyre, në mënyrë që kredimarrësit në vështirësi financiare të kenë mundësinë të përmbushin detyrimet e parapara me kontratë, dhe me qellim të rikthimit në normalitet te aktivitetit të tyre biznesor”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.

Ai bëri të ditur se BQK-ja ka qenë në komunikim të rregullt me partnerët ndërkombëtarë: FMN-në, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe me odat ekonomike në Kosovë dhe falë këtyre komunikimeve të vazhdueshme është aprovuar RFI (Rapid Financing Instrument) nga FMN-ja në shumë prej 52 milionë eurosh për të mbuluar nevojat urgjente dhe të përkohshme të bilancit të pagesave si rezultat i pandemisë COVID-19.

Guvernatori gjithashtu njoftoi se pas kontakteve me bankat qendrore të regjionit dhe së bashku nën ombrellën e Vienna Initiative dhe mbështetjes nga BERZH-i, Banka Qendrore Evropiane ka aprovuar kërkesën e BQK-së për të vendosur një linjë financimi ‘repo’ në shumë prej 100 milionë eurosh.

Kjo linjë e financimit, e cila është e vlefshme deri më 30 qershor 2021, i mundëson BQK-së të huazojë likuiditet në valutën euro nga Eurosistemi, për të adresuar nevojat e mundshme të likuiditetit për institucionet financiare në Kosovë në rast të mosfunksionimit të tregjeve për shkak të pandemisë COVID-19.

“BQK-ja gjatë gjithë kësaj periudhe ka ndihmuar me të gjitha kapacitetet e saja profesionale Qeverinë e Kosovës në përpilimin e një pakoje të masave për rimëkëmbje ekonomike dhe mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të japë kontributin e saj për të ndihmuar ekonominë e vendit që të kalojë sa më lehtë sfidat në të ardhmen. Përkundër vështirësive ekonomike aktuale, sistemi financiar vazhdon të mbetet i shëndoshë dhe stabil. Sistemi bankar është mjaft mirë i kapitalizuar dhe likuid. Treguesi i mjaftueshmerisë së kapitalit vazhdon të jetë mbi minimumin e kërkuar rregullativ duke qëndruar në 16.5 përqind në gusht 2020 nga 17.0 përqind sa ishte në gusht 2019. Gjendje e kënaqshme paraqitet edhe në aspektin e likuiditetit, ku raporti i likuiditetit qëndron në 37.7 përqind. Norma e kredive joperformuese mbetet në nivele të ulëta prej 2.7 përqind, përderisa mbulueshmëria e tyre me provizione është 138.2 përqind. Bankat vazhdojnë të kreditojnë ekonominë e Kosovës. Gjithsej kreditë në muajin gusht 2020 janë në shumë prej 3.02 miliardë euro duke vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, me një rritje vjetore prej 7.6 përqind. Vlera e kredive të reja të lëshuara për periudhën janar-gusht 2020 është 912.5 milionë euro që paraqet një rënie prej 5 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ku kreditë e reja ishin 959 milionë euro. Megjithatë, gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti kemi të dhëna premtuese, ku kreditë e reja të lejuara nga sektori bankar janë në vlerë prej 320.7 milionë euro krahasuar me kreditë e reja të lëshuara në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 260 milionë, apo një rritje prej 23 përqind”, njoftoi Guvernatori Mehmeti.

Ai edhe njëherë potencoi se sipas parashikimeve të BQK-së Ekonomia e Kosovës këtë vit pritet të shënojë rënie prej rreth 7.2% dhe kjo rënie vjen si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat ndikuan negativisht në pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike në vend.

Andaj duke parë këtë situatë, Guvernatori deklaroi se për tejkalimin më të lehtë të saj, nevojitet një bashkëpunim i ngushtë dhe i mirë koordinuar të të gjitha palëve e sidomos të Qeverisë së Kosovës dhe BQK-së, si përgjegjëse për sistemin financiar të vendit.

Tutje Guvernatori tha se kjo pandemi përveç vështirësive afatshkurtra të likuiditetit të bizneseve do të ndikim negativ afatgjatë për një pjesë të bizneseve në sektorë të caktuar.

Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike është më se e nevojshme për të minimizuar pasojat negative të cilat do të kenë ndikim afatgjatë në këta sektorë. Sektori bankar aktualisht ka kapacitete financiare dhe operacionale më së të mjaftueshme për të përmbushur nevojat për financim të korporatave dhe ekonomive familjare të Kosovës.

Guvernatori ripërsëriti se Qeveria e Kosovës mund të llogaritë në mbështetjen e BQK-së dhe të të gjithë sistemit financiar në implementimin e politikave të përgjithshme ekonomike të saj. 

Nga ana tjetër, kryeministri Hoti falënderoi Guvernatorin Mehmeti dhe gjithë stafin e BQK-së për angazhimi e tyre në bashkërëndimin e plotë të aktiviteteve nga fillimi i pandemisë.

“Unë besoj se ky bashkërendim ka qenë për të tejkaluar situatën dhe në veçanti veprimet konkrete që i ka marrë BQK-ja duke krijuar edhe rregullativën e nevojshme për shtyrje të pagesës së kredive, për ristrukturim të kredive dhe rregullativën tjetër të përshtatshme, e cila gjë ju ka mundësuar sipas të dhënave që na prezantoj guvernatori 77 mijë kërkesave që të procedohen në mënyrë të rregullt që është 60% të kredive janë shtyrë. Ne sot diskutuam për bashkëpunimin si Qeveri me BQK-në me masat e reja për rimëkëmbje ekonomike nga janari e tutje, sepse është më se e qartë që ne do të përballemi me këtë pandemi përtej dhjetorit të këtij viti. Deri në fund të dhjetorit ne praktikisht mbështesim ekonominë e Kosovës me rreth 5% të bruto produktit vendor në kuadër të Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike me 365 milionë euro, kemi ndarë për vitin e ardhshëm 182 milionë euro. Masat e reja do t’i dizajnojmë në konsultim të ngushtë më BQK-në, pasi do t’i përdorim maksimalisht instrumentet ekzistuese të bankave komerciale, Fondit për Gratantim të Kredive, kompanive të sigurimeve dhe të instrumenteve të tjera financiare në mënyrë që këto mjete t’i fusim në ekonomi”, deklaroi Kryeministri Hoti.

Ai bëri të ditur se në takim janë diskutuar në detaje për ndihmën që i duhet Qeverisë nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, për Fondin për Garanci Kreditore, për krijimin e dritareve që ky fond i ka për t’i mbështetur.

Gjithashtu, Kryeministri bëri të ditur se në bashkëpunim të ngushtë me BQK-në do të angazhohen për uljen e numrit të veturave të paregjistruara, në mënyrë që në janar Qeveria bashkë me BQK-në të fillojnë bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.

Po ashtu, Kryeministri Hoti premtoi angazhim të plotë në shtyrjen përpara të dy ligjeve që janë në procedurë dhe të cilat do të shërbejnë për të krijuar bazën e nevojshme ligjore me qëllim të avancimit të sistemin financiar dhe sistemin bankar në Kosovë.