01/06/2022
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim drejtues të lartë të Bankës Botërore, të udhëhequr nga Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore znj. Anna Bjerde. Guvernatori Mehmeti njoftoi ekipin e Bankës Botërore për performancën e mirë të sektorit financiar në Kosovë, e në veçanti atij bankar dhe potencoi rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.
Guvernatori Mehmeti po ashtu shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore lidhur me perspektivën e zhvillimit ekonomik në përgjithësi dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë.
Guvernatori Mehmeti shprehu vlerësimin e lartë ndaj Bankës Botërore për gatishmërinë që të na ofrojë programe të reja të asistencës teknike, si dhe përfundimin e projekteve ekzistuese që kanë të bëjnë me sistemin e pagesave dhe përpilimin e strategjisë kombëtare për përfshirje financiare. Në të njëjtën kohë, Guvernatori theksoi përkushtimin e BQK-së për të qenë partner i besueshëm i Bankës Botërore dhe vazhdimin e bashkëpunimit në të gjitha aspektet.
Nga ana tjetër, Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore znj. Anna Bjerde theksoi se Banka Botërore do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimim me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi.