Guvernatori Mehmeti prezantoi të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovë Fehmi Mehmeti, ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, pjesën e raportit të Komisionit Evropian për vitin 2020 që ndërlidhet me BQK-në.

Para anëtarëve Guvernatori Mehmeti ka thënë se sistemi financiar në Kosovë është shumë i qëndrueshëm dhe stabil, i konfirmuar në raportet e institucioneve me renome ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin Evropian që ka vlerësuar pozitivisht kontributin e BQK-së në drejtim të konsolidimit të stabilitetit makroekonomik, ruajtjes së stabilitetit financiar, përmirësimit të praktikave mbikëqyrëse dhe përmirësimit të sistemit të pagesave në Republikën e Kosovës.

“Raporti thekson se lëvizja e kapitalit mbetet kryesisht e lirë në Kosovë dhe nuk ka kufizime në pronësinë e huaj ose në investimet në sektorin financiar, ndërsa nga fusha e pagesave raporti vlerëson miratimin e rregulloreve nga BQK-ja, si: Rregulloren e re për licencimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të sistemit të pagesave, si dhe Rregulloren për instrumentet e pagesave elektronike duke eliminuar kështu tarifat shtesë për poseduesit e kartelave bankare. Gjithashtu, raporti njeh progresin shtesë që është bërë për ta zbatuar kornizën e Bazel III, në fushën e kërkesave të kapitalit, si dhe menaxhimin e rrezikut të bankave. Komisioni vlerëson po ashtu hyrjen në fuqi të Rregullores për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe rregullores për treguesin e laverazhit. Raporti vë në pah se të gjitha këto akte janë në përputhje me kornizën Bazel III. Në të njëjtën kohë theksohet se BQK ka adoptuar standardin SNRF 9 dhe nga janari 2020 bankat kanë filluar zbatimin e këtij standardi. Sipas Komisionit Evropian, niveli i kapitalizimit të bankave vazhdoj të mbetet i qëndrueshëm 15.9% dhe është konsiderueshëm mbi raportin e kërkuar mjaftueshmërisë së kapitalit e cila është 12%”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Një hapësirë të veçantë raporti i Komisionit Evropian i ka kushtuar zhvillimeve të lidhura me ndikimin e pandemisë në ekonominë e Kosovës, me ç‘rast thekson masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për të ndihmuar kredimarrësit në tejkalimin e vështirësive financiare që kanë buruar si pasojë e krizës, si dhe publikimin e udhëzuesit për ristrukturimin e kredive.

KE-ja ka përshëndetur iniciativën e ndërmarrë nga Banka Qendrore për rritjen e transparencës së çmimeve të kredive konsumuese dhe zbatimit të aftësisë paguese - Solvency I.

Raporti vlerëson edhe miratimin e Rregullores për riblerjen e letrave me vlerë me Bankën Qendrore (miratuar në Prill 2019), e cila mundëson riblerjen e letrave me vlerë midis bankave tregtare në tregun sekondar.

Guvernatori Mehmeti shtoi se BQK-ja mbetet njeri ndër institucionet me shkallën më të lartë të realizueshmërisë së kërkesave të BE-së ndër vite, kjo bazuar në raportet statistikore të vetë Qeverisë, derisa ka thënë se po punohet në mënyrë intensive duke nisur nga liberalizimi i tregut në ofrimin e shërbimeve të pagesave elektronike nga institucione financiare jobankare, me mbështetje të ekspertëve të Bankës Botërore është zhvilluar korniza e Roadmap për implementimin e Solvencës II.

Sa i përket detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, BQK-ja ka punuar vazhdimisht në përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me atë të Bashkimit Evropian.

“Tashmë kemi aprovuar 3 rregulla; Rregulla mbi benefitet e pensionit, Rregulla mbi mbajtjen e shënimeve në fondet pensionale dhe siguruesit e pensioneve dhe Rregulla mbi transferet dhe pagesat e transferit të mjeteve të pensionit, të cilat janë në pajtueshmëri me Direktivën Evropiane 2003/41. Përderisa, tashmë kemi finalizuar dy rregullore që kanë të bëjnë më kërkesat për likuiditet, si Treguesi i Mbulimit me Likuiditet, si dhe Treguesi i Financimit të Qëndrueshëm Neto të cilat duhet të aprovohen nga Bordi i BQK-së. Këto kërkesa janë në pajtueshmëri të plotë me kornizën e Bazel III. Gjithashtu, jemi në proces të finalizimit të dy rregullave në fushën e pensioneve, ku Rregulla 24 parashkruan kërkesat në letrën e angazhimit të revizorit të jashtëm të fondit të pensionit dhe siguruesve të pensionit dhe Rregulla 25 mbi ndryshimin e Rregullës mbi përcaktimin e përfituesve të pensioneve) të cilat së shpejti pritet edhe të aprovohen”, ka deklaruar ai.

Anëtarët e Komisioni janë njoftuar edhe për punën që po bëhet rreth avancimit të mëtejshëm në zbatimin e kornizës Bazel III, ku tashmë është finalizuar Rregullorja mbi treguesin e mbulimit me likuiditet dhe treguesin e financimit të qëndrueshëm Neto.

Guvernatori ka thënë se me mbështetje të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) është duke u zhvilluar një platformë për krahasimin e normave të interesit dhe shërbimeve financiare të ofruara nga institucionet financiare në Kosovë. Kjo platformë do të jetë e shpalosur në faqen zyrtare të BQK-së dhe ka për qëllim të sigurimit të një hapësire, e cila do të ndihmonte konsumatorët në përdorimin më të lehtë të informatave rreth normave të interesit dhe çmimeve të produkteve dhe shërbimeve financiare në sektorin financiar në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti po ashtu shpalosi punën edhe angazhimin e BQK-së në liberalizimin e tregut të sigurimeve, i cili do të bëhet brenda këtij viti, derisa përmendi nevojën e adresimit të çështjes së automjeteve të pasiguruara, si  dhe një varg rregulloresh dhe ligjesh që janë në pritje për t’u aprovuar, sapo Kuvendi të zgjedhë anëtarët e Bordit të BQK-së dhe të miratojë ligjet që janë në pritje.