Guvernatori Mehmeti mori pjesë në hapjen e zyrës së re qendrore të bankës Raiffeisen

16/09/2019

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti mori pjesë në përurimin e zyrave të reja qendrore të Bankës Raiffeisen.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti tha se Banka Raiffeisen ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një sistemi financiar të sigurt dhe të shëndoshë, i cili ka kontribuar në rritjen ekonomike të Kosovës. 

“Banka Raiffeisen ka kontribuar shumë në zhvillimin e një konkurrence të drejtë, përmirësimin e vazhdueshëm të produkteve, si dhe zhvillimin e produkteve të reja, duke rritur qasjen në financa, ka kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare me vendet tjera, ka ndihmuar në tërheqjen e investitorëve të huaj, si dhe në përmirësimin e reputacionit të Kosovës në përgjithësi. Për këtë ne ju jemi falënderues. Banka Raiffeisen gjithashtu ka ndihmuar zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe vazhdon të shfrytëzojë potencialin e rinisë tonë. Ndër të tjera Banka Raiffeisen mbetet shembull i një punëdhënësi të mirë, gjë me të cilën ne të gjithë jemi krenar. BQK-ja si mbikëqyrës i sistemit financiar do të vazhdojë të punojë në mbajtjen e një sistemi financiar të sigurt dhe të shëndoshë dhe do të përmirësojë vazhdimisht mjedisin ekonomik, në të cilin industria financiare operon”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.
Sektori financiar, sipas Guvernatorit Mehmeti është një sektor me dinamikë të madhe të zhvillimit dhe ndryshimeve të shpejta në mjedisin ekonomik, që e rrethon atë dhe se këto sisteme të vendeve të ndryshme po integrohen vazhdimisht dhe kjo kërkon rritje të bashkëpunimit ndërmjet këtyre vendeve. 

“BQK-ja mbetet e përkushtuar në bashkëpunim me qëllim të tejkalimit të sfidave në të ardhmen dhe integrimit të sistemit financiar të Kosovës në sistemet e ekonomive të zhvilluara. Bankat në Kosovë sikurse në të gjitha vendet tjera kanë status të veçantë në ekonomi. Ky status shoqërohet me kërkesa të ndryshme rregullative dhe kërkesa më të mëdha të përgjegjësisë sociale dhe kam kënaqësinë të them që bankat në Kosovë me sukses i përmbushin këto kërkesa. Sot në Kosovë kursimet tona janë të sigurta dhe avancimet në teknologji na lejojnë që të kemi qasje me të shpejtë në to. Bankat janë një shembull i suksesit në Kosovë, andaj u bëj thirrje që këtë sukses të tyre ta promovojnë edhe më shumë me qëllim të tërheqjes dhe rritjes së investimeve të huaja edhe në sektorë të tjerë. Kjo do të ndikonte në zhvillimin ekonomik, i cili është më se i nevojshëm për një stabilitet financiar, si dhe avancimit të mëtutjeshëm të sektorit bankar në të cilin Banka Raiffeisen luan një rol shumë të rëndësishëm”, tha për fund Guvernatori Mehmeti.