22/11/2023
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë ka takuar Zëvendësambasadorin e Federatës së Gjermanisë në vendin tonë njëherësh Shef i Seksionit Ekonomik, z. Matthias Conrad.
Guvernatori Ismaili dhe Zëvendësguvernatori Dardan Fusha në këtë takim shpalosen planet e BQK-së në funksion të realizimit të objektivave dhe Planit Strategjik, duke shtuar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës është brenda parametrave të kërkuar ligjor dhe rregullativ.
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Ismaili e ka informuar Zëvendësambasadorin Conrad lidhur me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS.
Pjesë e diskutimit ishin edhe sfidat për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër për automjete dhe listimi i Republikës së Kosovës në platformat botërore të pagesave, për të cilën u kërkua mbështetja.
Guvernatori Ismaili dhe Zëvendësambasadori Conrad kanë bashkëbiseduar për rritjen e bashkëpunimit me autoritetet rregullative gjermane, si Bundesbank dhe BaFin.
Zëvendësambasadori Conrad shprehu gatishmërinë për të mbështetur BQK-në në realizimin e objektivave dhe planeve të institucionit më të lartë financiar në vend, të parapara sipas mandatit kushtetues dhe ligjor.
Në fund, Guvernatori Ismaili tregoi mirënjohjen e institucionit që e drejton për mbështetjen e ofruar nga ana e shtetit gjerman, veçanërisht për sistemin financiar, përmes programeve të shumta të mbështetjes financiare.