Guvernatori Ismaili takon Drejtoreshën në detyrë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të Republikës së Shqipërisë, Mimoza Kaçi

16/02/2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili ka mirëpritur Drejtoreshën e Përgjithshme Ekzekutive në detyrë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të Republikës së Shqipërisë, znj. Mimoza Kaçi, të cilën e informoi lidhur me zhvillimet kryesore në sistemin financiar dhe avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative në fushën e sigurimeve.

Avancimi i kornizës ligjore dhe shkëmbimi i përvojave në fusha specifike që bien nën fushëveprimin e BQK-së dhe AMF-së ishin tema boshte të takimit, duke përfshirë qasjen ndaj reformave të sektorit që lidhen me IFRS 17, Solvencën II, edukimin financiar, parimet e ESG-së, si dhe aspekte tjera të bashkëpunimit dhe ngritjes së kapaciteteve ndër-institucionale.

Po ashtu, u diskutua lidhur me nisma të reja ligjore për tregjet e kapitalit si dhe instrumente tjera, në zbatim të objektivave dhe Planit të ri Strategjik të BQK-së.

Drejtoresha Kaçi e ka njoftuar Guvernatorin Ismaili për zhvillimet kryesore në tregun financiar jobankar në Shqipëri, përfshirë kornizën ligjore, duke shprehur gatishmërinë e AMF-së për të ndarë përvojat dhe dhënë kontributin e tyre në çështjet me interes për BQK-në dhe proceset e saj.

Zonja Kaçi së bashku me delegacionin e saj të përbërë nga drejtuesit kryesorë të fushave relevante, po qëndron në vizite zyrtare, ku do të shqyrtohen temat e përbashkëta në nivele teknike dhe profesionale mes ekipeve homologe.

Në fund, në këtë bashkëbisedim u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, duke u dakorduar për thellimin e tij në fusha te interesit te përbashkët dhe rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve përmes kolegjeve dhe trupave të përbashkëta.