Guvernatori Ismaili takoi të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Malit të Zi, Bernard Çobaj

11/03/2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili ka pritur në takim të ngarkuarin me punë më Ambasadën e Malit të Zi në vendin tonë, z. Bernard Çobaj.

Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar z. Çobaj lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së.

Si pjesë e nismës për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA dhe Sistemin Evropian të Pagesave të Shpejta (TIPS).

Në takim u diskutua edhe për sfidat aktuale por edhe progresin drejt digjitalizimit dhe bashkëpunimin potencial në këtë fushë me institucionet malazeze, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Malit të Zi.

Po ashtu është biseduar lidhur me avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së.

Në fund, u konstatua se do të ketë shkëmbime të mëtutjeshme të informacionit me qëllim të bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet BQK-së dhe institucioneve malazeze në fushat e interesit të përbashkët.