Guvernatori Ismaili priti në takim drejtuesit e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore

24/11/2023

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili ka pritur në takim drejtuesit e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) i kryesuar nga kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, z. Agan Azemi, Drejtori Menaxhues, z. Besnik Berisha dhe Anëtari i Bordit si përfaqësues i Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), z. Melih Çadirci.

Në këtë takim, Guvernatori i njoftoi lidhur me ndryshimet e pritura në legjislacion, si dhe nevojën për harmonizimin e tij dhe planeve strategjike të dy institucioneve për të avancuar më tej sistemin bankar.

Zgjerimi i qasjes në financa, rritja e konkurrencës, zvogëlimi i hendekut të financimit me kushte konkurruese dhe avancimi i të dhënave në Regjistrin Kreditor të Kosovës ishin pjesë e diskutimit.

Në këtë kuptim, gjatë rishikimit të legjislacionit të FKGK është dakorduar të trajtohet mundësia e zgjerimit të anëtarësisë së FKGK-së dhe përfshirjes si anëtare edhe të institucioneve mikrofinanciare (kredidhënëse), rishikimin e afatit për t'u bërë pjesë e FKGK-së për institucionet e reja bankare si dhe mundësinë për skema të veçanta garantuese të FKGK-së për bankat që të mund të financojnë institucionet mikrofinanciare.

BQK-ja e konsideron FKGK-në si një mekanizëm shumë të rëndësishëm për të mirëmbajtur dhe avancuar edhe më tej objektivin për sistem financiar stabil, me ndikim në mbështetje të ekonomisë. Prandaj edhe bashkëpunimi do të fuqizohet në interes të zbatimit të këtyre objektivave.