19/09/2023
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë ka mirëpritur në takim delegacionin e Programit të Sektorit Financiar (FinSAC) të Bankës Botërore me seli në Vjenë të kryesuar nga z. Vahe Vardanyan.
Z. Vardanyan së bashku me ekipin e tij e uruan Guvernatorin Z. Ismaili me rastin e emërimit në pozitën e Guvernatorit të BQK-së dhe ofruan gatishmërinë për mbështetje.
Në vijim të këtij takimi, Guvernatori Ismaili ka falënderuar përfaqësuesit e FinSAC për bashkëpunimin e ngushtë me BQK-në dhe asistencën teknike të ofruar deri më tani në fushën e mbikëqyrjes bankare, veçanërisht asistencën teknike lidhur me Procesin e Vlerësimit të Brendshëm të Adekuatshmërisë së Kapitalit dhe Rreziqet klimatike dhe të Ambientit.
Në takim është diskutuar për bashkëpunimin e mundshëm në të ardhmen ndërmjet dy institucioneve në fushën e mbikëqyrjes bankare, në fushën e stabilitetit financiar dhe në fushën e rimëkëmbjes dhe përmbylljes së bankave.
Në takim u konkludua se bashkëpunimi ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe FinSAC do të rritet viteve në vijim në programin 3 vjeçar, në funksion të zhvillimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore të BQK.
Guvernatori z. Ismaili falënderoi z. Vardanyan dhe ekipin e tij për diskutime konstruktive dhe vullnetin për të ndihmuar BQK-në përmes asistencës teknike.