Guvernatori Ismaili priti në takim Ambasadorin austriak z.Georg Schnetzer

21/02/2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili së bashku me bashkëpunëtorë priti në takim Ambasadorin e Austrisë në vendin tonë, Sh. T. Z. Georg Schnetzer, shoqëruar nga Zëvendësshefja e Misionit, znj. Clarissa Castek.

Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar Ambasadorin Schnetzer dhe bashkëpunëtoren e tij lidhur me nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA.

Në takim u diskutua për mbështetjen që shteti austriak po i jep Republikës së Kosovës në proceset integruese, përfshirë këto aspekte lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, Kodin ISO që lidhet me platformat botërore të pagesave dhe procese tjera me rëndësi të veçantë për vendin tonë.

Guvernatori i BQK-së me këtë rast falënderoi Ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit austriak për institucionet dhe popullin e Kosovës.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për bankat, Ligjin për shërbimin e pagesave dhe ligje të tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktivat e BE-së. Gjithashtu është biseduar lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si dhe planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare.


Ambasadori Schnetzer u informua edhe lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK.

Në këtë aspekt, Ambasadori Schnetzer u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.

Në fund të takimit u theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë në njërën nga bankat, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike.