Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një institucion publik i pavarur dhe objektivi parësor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar si dhe një sistemi efikas të pagesave
01/02/2024
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili së bashku me ekipin e tij priti në takim informues misionin e Bankës Qendrore Evropiane, të përbërë nga znj. Katalin Polgar, znj. Julia Doleschel dhe z. Tomas Slacik, që po qëndrojnë në Kosovë për të vlerësuar dhe diskutuar lidhur me Programin e Reformave Ekonomike 2024.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen ndaj BQE-së për përkrahjen e BQK-së në proceset reformuese në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe për gjithë mbështetjen që ka dhënë dhe po vazhdon të japë Banka Qendrore Evropiane ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
BQE-ja takohet në baza vjetore me ekspertët e BQK-së për vlerësimin e Programin e Reformave Ekonomike përmes formateve të detajuara të diskutimit për perspektivat aktuale dhe të pritura të dinamikave makroekonomike, vlerësimin e rreziqeve sistemike dhe stabilitetin financiar, mbikëqyrjen financiare dhe aktivitetet rregullative, konkurrencën e tregut, si dhe progresin e arritur në implementimin e udhëzimeve të vitit paraprak.
Me këtë rast, Guvernatori Ismaili njoftoi delegacionin me zhvillimet kryesore në sistemin financiar, Planin e ri Strategjik 2024-2028 dhe avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, duke synuar përafrimin sa më shumë me direktivat e BE-së dhe aspiratat integruese për t’u bërë pjesë e institucioneve relevante të Bashkimit Evropian.
Copyright © 2014-2024 BQK. Të gjitha të drejtat e rezervuara