Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një institucion publik i pavarur dhe objektivi parësor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar si dhe një sistemi efikas të pagesave
08/11/2023
Në vazhdën e takimeve me krerët e institucioneve kushtetuese, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili ka zhvilluar takim pune me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca.
Guvernatori Ismaili gjatë takimit e ka informuar Kryekuvendarin Konjufca lidhur me ecurinë e punëve dhe planeve strategjike të BQK-së, përfshirë edhe kërkesat që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara në mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Republikës së Kosovës.
Po ashtu, i pari i BQK-së e ka njoftuar Kryetarin Konjufca për zhvillimet kryesore në sistemin financiar, veçanërisht në atë bankar, duke nënvizuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar, brenda parametrave të kërkuar ligjor dhe rregullativ.
Gjatë takimit është biseduar edhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet legjislativit dhe institucionit bankar qendror të Republikës së Kosovës, duke njoftuar për së afërmi edhe për nismat ligjore të planifikuara nga BQK-ja, për çka pret edhe përkrahjen e legjislativit.
Në fund, Guvernatori Ismaili nga Kryetari Konjufca ka marrë përkrahje për çdo veprim e nismë që i kontribuon stabilitetit financiar, fuqizimit të kapaciteteve të brendshme, reformave me ndikim në rritjen ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Copyright © 2014-2024 BQK. Të gjitha të drejtat e rezervuara