Guvernatori Ismaili folës në panelin e Forumit Ndërkombëtar “Vienna Initiative” në Lituani, së bashku me guvernatorë të bankave qendore dhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare

07/05/2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Z. Ahmet Ismaili ishte folës në Forumin Ndërkombëtar "European Bank Coordination – Vienna Initiative" në Vilnius të Lituanisë, ku diskutoi për rolin e digjitalizimit në avancimin e shërbimeve financiare, në veçanti për digjitalizimin e pagesave, përgatitjet e Kosovës drejt pagesave të shpejta dhe integrimin në SEPA.

Nën organizimin e Bankës së Lituanisë (Lietuvos Bankas), së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankën Evropiane të Investimeve (EIB), Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Grupin e Bankës Botërore (BB), Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisionin Evropian (KE), agjenda e Forumit të këtij viti ka përfshirë diskutime të nivelit të lartë mbi sfidat kryesore për politikëbërësit, konkurrencën bankare në rajon, normat e interesit dhe ambienti monetar, sfidat dhe mundësitë e bankingut digjital.

Guvernatori Ismaili në panelin me temën "Përmirësimi i dialogut me fintech – banka komerciale – autoritete mbikeqyrese/rregullatore", prezantoi punën e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës drejt digjitalizimit dhe avancimit të infrastrukturës, pagesave të shpejta, harmonizimit të legjislacionit me SEPA, për lehtësim të qasjes në financa dhe zgjerim të perfshirjes financiare, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së. Gjithashtu, zgjerimi i fushëveprimit dhe rolit të institucioneve jo-bankare – të pagesave që pritet të ndodh me ndryshimet ligjore, ishin thekset kryesore dhe orientimet e BQK-së në diskutim në këtë panel. Tutje, u theksua mbështetja nga institucionet e Bashkimit Evropian (BE) dhe partnerëve si Banka Botërore në arritjen e këtij synimi me ndikim shumë të rëndësishëm pozitiv në ekonomi.

Në forumin e nivelit të lartë të "Vienna Initiative", kryesuar nga Guvernatori i Kroacisë, Z. Boris Vujčić, nën organizimin e Guvernatorit të Lituanisë, Z. Gediminas Šimkus, ishin pjesëmarrës guvernatorët nga vendet e rajonit dhe disa vendeve evropiane, duke përfshirë Slloveninë, Estoninë, Ukrainën, Moldavinë, etj.

Në kuadër të këtij Forumi, Guvernatori Ismaili pati takime me disa nga guvernatorët e bankave qendrore të shteteve të rajonit dhe Evropës, si dhe përfaqësues të lartë të FMN-së, BB-së, BERZH-it, EIB-së dhe institucioneve tjera financiare prezente.

Nisma "Vienna Initiative" ka filluar në janar 2009-së me synimin fillestar për të siguruar stabilitet financiar në Evropë, ku me kalimim e kohës ka evoluar nga një platformë e përkohshme për zbutjen e krizës në një forum të përhershëm për diskutime, ku politikëbërësit kompetentë dhe përfaqësuesit e industrisë financiare ndajnë pikëpamjet mbi çështje specifike nga këndvështrime të ndryshme.

BQK-ja vazhdon të zhvillojë dhe mbajë raporte institucionale dhe bashkëpunimi me bankat qendrore, me qëllim të ndjekjes së zhvillimeve dhe qasjes në praktikat më të mira makroprudenciale, të cilat avancojnë stabilitetin financiar të vendit dhe kontribuojnë edhe arritjen e objektivave të vendosura.