23/04/2009
Me ftesë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, më 25 dhe 26 prill në Uashington, ku do t’i zhvillojë punimet Sesioni Pranveror i Komitetit Ndërkombëtar Financiar dhe Monetar të Bordit të FMN-së, është ftuar të marrë pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Hashim Rexhepi. Në takimet vjetore të Fondit të sesionit të pranverës, në delegacionin kosovar përveç guvernatorit Rexhepi, institucionet e Kosovës do t’i përfaqësojë edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave z. Ahmet Shala, me bashkëpunëtorë.
Guvernatori Rexhepi do të takohet me përfaqësuesit më të lartë të Bordit të Guvernatorëve, me guvernator të vendeve të ndryshme si dhe me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare. Në këtë sesion për herë të fundit Kosova do të jetë në cilësinë e vëzhguesit., kjo për faktin së në muajin maj pritet të konfirmohet pranimi i Kosovës me të drejta të plota në këtë organizëm.
Bordi i Guvernatorëve pritet të ketë si çështje të diskutimit anëtarësimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në organizmat më prestigjioze ndërkombëtarë financiare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.