14/09/2015
Në këtë takim, Guvernatori Hamza njohu përfaqësuesit e delegacionit Odës Ekonomike të Kosovës me zhvillimet aktuale në sektorin financiar në Kosovë, me përgjegjësitë dhe angazhimet aktuale të BQK-së, si dhe me sfidat me të cilat po ballafaqohet Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Me këtë rast Guvernatori Hamza, u njoftua nga z.Gërxhaliu dhe bashkëpunëtorët e tij për aktivitetet e shumta që po zhvillon OEK-u , po ashtu u njoftua edhe për kontributin që po jep Oda Ekonomike për mbrojtjen dhe promovimin e zhvillimeve të bizneseve në Kosovë.
Guvernatori u ka premtuar bashkëbiseduesve bashkëpunim dhe se do të ofrojë ndihmën e tij dhe të institucionit që drejton për të gjitha ato çështje, që janë në fushën që konform kornizës ligjore, BQK-ja mund t’iu ofrojë ndihmë. Ndër çështjet e prekura gjatë këtij takimi ishin fushat si në vijim : angazhimi i përbashkët me faktorët relevantë për të përshpejtuar finalizimin e projektligjit të kamatëvonesave, ofrimin e mbështetjes - ndihmës për zgjidhjen e çështjeve përmes arbitrazhit, kryesisht me theks të veçantë në rastet e lëndëve që kanë të bëjnë me industrinë e sigurimeve, si dhe bashkëpunimin për të dinamizuar nxjerrjen e publikimeve në formë broshurash dhe publikimeve të tjera, të cilat do të botohen përmes bashkërëndimit të punëve në mes të dy institucioneve tona përmes përpunimit të të dhënave dhe treguesve, që kryesisht do të bazohen në metoda dhe ekspertiza shkencore. Në fund Guvernatori Hamza dhe z.Gërxhaliu shprehën përkushtimin e tyre që të vendoset një bashkëpunim më i ngushtë në mes të dy institucioneve.