Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj

Në takim është diskutuar për masat që i ka ndërmarrë BQK-ja në ndihmë ekonomisë, por edhe në respektimin e të gjitha masave të kërkuara nga ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. 

Guvernatori Mehmeti dhe Ministri  Zemaj, gjithashtu adresuan mbarëvajtjen e procesit të policave të sigurimit shëndetësore  dhe çështjen e mbulueshmërisë së sigurimeve shëndetësorë  nga kompanitë e sigurimeve, që operojnë në Kosove në trajtimin e rasteve te COVID-19.  Në këtë kontekst u diskutuan edhe zhvillimet dhe dinamika për plotësimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe sfidat të cilat duhet të adresohen përmes këtij Ligji, përfshirë në veçanti situatat e ballafaqimit me pandemi të përmasave globale siç është COVID-19.

Tutje, Guvernatori tha se BQK-ja do të vazhdojë të mbështesë të gjitha institucionet relevante në iniciativa ligjore por edhe në implementim e të gjitha udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e COVID – 19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetin publik dhe ballafaqimit me pasoja sa më të lehta në menaxhimin e kësaj pandemie.

Nga ana tjetër, Ministri Zemaj, falënderoi Guvernatorin për masat e ndërmarra kundër pandemisë dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe më tutje me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik që do të jetë në funksion  të ruajtjes dhe rimëkëmbjes së ekonomisë.