Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi vizitoi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës

13/05/2016

Z. Bedri Hamza Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës me bashkëpunëtorët e tij ka pritur në një takim z. Milojica Dakiq Guvernator i Bankës së Malit të Zi. Me këtë rast Guvernatori Hamza duke falënderuar z.Dakiq për vizitën, fillimisht u ndal te bashkëpunimi shumë i mirë në të gjitha nivelet në mes të dy institucioneve, më pas para delegacionit të Bankës së Malit të Zi ka dhënë një shpjegim të detajuar për zhvillimet ekonomike e financiare në Kosovë, me theks të veçantë për industrinë bankare, industrinë e sigurimeve dhe për sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe po përballet ky sistem. Guvernatori me këtë rast i ka bërë me dije z.Dakiq se të gjithë parametrat dhe të dhënat e këtyre treguesve të zhvillimeve aktuale kanë të bëjnë me një vlerësim të përgjithshëm të një sistemi të shëndoshë dhe likuid, i cili po shënon zhvillime pozitive në të gjithë sektorët. Në bashkëbisedim e sipër të dy guvernatorët kanë shkëmbyer informacione lidhur me zhvillimet në përgjithësi, për trendet me të cilat po përballen dhe për sfidat në të cilat po kalojnë sektorët financiarë të të dyja shteteve. Në takim po ashtu Guvernatori Hamza, ka falënderuar z. Dakiq për frymën dhe nivelin e lartë dhe profesional të bashkëpunimit të BQK-së me Bankën e Malit të Zi duke shfaqur gatishmërinë e ngritjes së këtij bashkëpunimi konform vullnetit të të dyja palëve në mënyrë që të avancohet ky bashkëpunim qoftë me shkëmbim të përvojave të ekspertëve të të dyja bankave qoftë me praninë dhe dhënien e kontributit të përbashkët në tryezat e ndryshme rajonale dhe më gjerë. Guvernatori Dakiq më pas ka falënderuar për pritjen e bërë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që Banka e Malit të Zi ka me BQK-në dhe ka kërkuar që të thellojmë dhe zgjerojmë edhe më tej fushat e bashkëpunimit të cilat përkojnë me zhvillimet në frymën e praktikave më bashkëkohore.
Ndërsa Guvernatori Hamza po ashtu ka shfaqur gatishmërinë e BQK-së, që gjithnjë konform frymës së mirë të bashkëpunimit të ofrojë ndihmën e saj për fushat e ndryshme, që Banka e Malit të Zi i konsideron si të rëndësishme në shkëmbimin e praktikave më të mira .
Gjatë këtij takimi z. Dakiq ka falënderuar Guvernatorin Hamza dhe BQK-në, duke premtuar se takimet e institucioneve tona, si dhe bashkëpunimi profesional me BQK-në do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe do të jetë bashkëpunim frytdhënës, duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucionit që drejton për mbështetje të mëtejmë dhe për bashkëpunim të ngushtë me BQK-në, në adresimin e çështjeve të cilat konsiderohen me interes të përbashkët.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka Qendrore e Malit të Zi , përmes guvernatorëve të tyre guvernatorit z. Bedri Hamza në njërën anë dhe z.Milojica Dakiq në anën tjetër kanë nënshkruar më herët edhe marrëveshje të mirëkuptimit, duke rregulluar kështu shumë fusha të bashkëpunimit të ndërsjellë  mes dy institucioneve bankare .
Në fund të vizitës së tij Guvernatori Dakiq me bashkëpunëtorët e tij i shoqëruar nga Guvernatori Hamza bënë një vizitë në qytetin e Prizrenit.