Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje nga pozita në BQK

10/09/2017

Si rezultat i rrethanave dhe zhvillimeve të reja të krijuara në sferën e ndërtimit të institucioneve të reja- Qeverisë së Republikës së Kosovës , Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z.Bedri  Hamza ka mbajtur një konferencë shtypi sot në ambientet e BQK-së, ku ka dhënë dorëheqjen e tij nga posti i Guvernatorit.  Deri te dorëheqja ka ardhur si rezultat i nominimit të tij që të jetë pjesë përbërëse e Kabinetit të Ri Qeveritar, në postin e Ministrit të Ministrisë së Financave. Në këtë konferencë, Guvernatori Hamza ka falënderuar mediat, institucionet ndërkombetare dhe ato vendore për punën dhe bashkëpunimin e frytshëm që patën gjatë periudhës së mandatit të tij prej Guvernatori. Guvernatori Hamza mbajti një ekspoze të zhvillimeve në sektorin financiar duke krahasur indikatorët që e karakterizuan këtë sektor nga viti 2013 deri më 2017. Guvernatori u shprehë se kemi të bëjmë me një përformancë shumë të mirë të sistemit në të gjitha fushat, ku sukseset e treguara i’a ka atribuar punës ekipore,  menaxhmentit të BQK-së dhe gjithë stafit të BQK-së. Guvernatori ka shfaqur bindjen se sukseset nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen. Në vijim gjeni përmbajtjen e tekstit të dorëheqjës së ofruar, Bordit të BQK-së dhe Presidentit të Republikës së Kosovës.
 
“Nëpërmjet kësaj shkrese paraqes dorëheqjen time nga pozita e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Arsyeja e dorëheqjes sime lidhet me emërimin tim në pozitën e Ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës.
Kam pasur nderin dhe kënaqësinë që për gati pesë vite të shërbej në pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, gjatë së cilës periudhë konsideroj se janë arritur përparime të konsiderueshme në sektorin financiar në përgjithësi dhe në atë bankar në veçanti. Për të arriturat e BQK-së nuk flasin vetëm statistikat, por ato janë vlerësuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ky progres është arritur vetëm falë punës së përbashkët që kemi zhvilluar me tërë personelin e BQK-së, për këtë arsye dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim për të gjithë punonjësit e BQK-së.
Dua të theksoj se angazhimin tim profesional dhe politik asnjëherë nuk e kam parë vetëm në dobi personale, por gjithmonë jam përpjekur që veprimtaria ime të jetë edhe në dobi të qytetarëve të vendit tim. Asnjëherë nuk kam bërë përpjekje t’i shmang sfidat profesionale e politike duke mbajtur qëndrim oportunist, por gjithmonë jam rrekur e ballafaquar me kërkesat dhe problemet të cilat kanë kërkuar zgjidhje, duke konsideruar se në këtë mënyrë do të jem në shërbim të qytetarëve. Nga kjo perspektivë e kam kuptuar edhe nominimin tim në pozitën e Ministrit të Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në këto rrethana, besoj se nominimi im është shumë më tepër një përgjegjësi sesa një privilegj. Jam i vetëdijshëm që sfidat në sektorin e financave publike janë të shumta dhe se kërkojnë zgjidhje. Në këtë kuadër, do të bëj përpjekje që në kuadër të Qeverisë së Kosovës ta jap kontributin tim maksimal në ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal e financiar, i cili mendoj se duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë dhe i shtetit tonë.
Krejt në fund, dua të shpreh falënderimin tim, për bashkëpunëtorët e mi, për miqtë e mi të shumtë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët më kanë përkrahur vazhdimisht në të gjitha veprimtaritë të cilat kanë qenë përgjegjësi e Bankës Qendrore. Mbetem me shpresë se do ta kem mbështetjen e tyre edhe në angazhimet e mia të reja, duke qenë i vazhdimisht i përkushtuar që të mos e zhgënjej besimin e tyre “.
Sinqerisht juaji,  
Bedri Hamza 
 
Videoja nga ngjarja e sotme në BQK mund të shkarkohet këtu: