Guvernatori Hamza priti një delegacion gjerman nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale

26/11/2014

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, priti z. Jörg Asmussen, Sekretar i përhershëm i Shtetit në Ministrinë Federale Gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale, të shoqëruar nga z. Matthias Kiesler, Zëvendës i Shefit të Misionit të Ambasadës Gjermane dhe Shef i Departamentit Ekonomik të Ambasadës Gjermane.

Guvernatori Hamza i informoi mysafirët e tij në lidhje me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Kosovë, duke nënvizuar qëndrueshmërinë dhe performancën pozitive të sektorit bankar në përgjithësi. Z. Hamza theksoi përpjekjet e BQK-së për të adoptuar standardet më të larta ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjet e Bazelit dhe Direktivat e BE-së në fushën e rregullativës dhe mbikëqyrjes bankare. Ai theksoi se këto përpjekje janë në përputhje me qëllimin fundamental të BQK-së për të  sjellë praktikat më të mira në rregullativën bankare dhe si përfundim aderimin në Sistemin Europian të Bankave Qendrore.

Në këtë kontekst, Guvernatori Hamza shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e çmuar që BQK-së i kanë dhënë Qeveria Gjermane dhe taksapaguesit gjermanë në përgjithësi, nëpërmes asistencës teknike të implementuar nga GIZ, që synon përmirësimin e operacioneve të BQK-së dhe rritjen e kapaciteteve teknike dhe njerëzore të stafit të BQK-së. Ai i vlerësoi reagimet e menjëhershme nga Ambasada Gjermane për të siguruar mbështetje në lidhje me fushat të cilat BQK i ka  identifikuar si prioritare.

Z. Hamza shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet gjermane, duke marrë parasysh asistencën cilësore dhe përvojën pozitive të Gjermanisë në tejkalimin e turbulencave financiare të ndërlidhura me krizën e Eurozonës. Si përfundim, Guvernatori Hamza ka theksuar se emigrantët e Kosovës në Gjermani mund të shërbejnë si një lidhje e fortë në bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të dy vendeve.