06/06/2013
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z.Bedri Hamza ka pritur një delegacion të institucioneve gjermane. Guvernatori me këtë rast , fillimisht ka falënderuar delegacionin lidhur me mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën në periudha dhe fusha të caktuara. Ai potencoi se institucionet e Kosovës u janë mirënjohës përherë vendit dhe popullit mik gjerman për këtë mbështetje të parezervë që po i jepet Kosovës . Po ashtu Guvernatori Hamza përmendi ndihmën që institucionet gjermane po japin në ndërtimin e institucioneve të vendit. Ndërsa përmendi edhe ndihmën në sektorin financiar me theks të veçantë , asistencën monetare të KFW-së, në krijimin e Fondit për Sigurimin e Depozitave por edhe për mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve në këtë fushë me anë të ekspertëve të angazhuar. Në anën tjetër përfaqësuesit e institucioneve gjermane premtuan mbështetje të mëtutjeshme për sektorin financiar si për FSDK-në , përshirë këtu edhe projektet në format e ndryshme të ngritjes së kapaciteteve të BQK-së me anë të trajnimeve në institucionet financiare gjermane.
Delegacioni gjerman që u prit nga Guvernatori Hamza , ishte në përbërje të znj.Henriette Kötter – Sekretare e parë për bashkëpunim zhvillimor, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë , z.Stefan Mironjuk – Përfaqësues i Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, sektori për Kosovën dhe Serbinë ,Përfaqësuesit nga GIZ: James Macbeth Forbes – Drejtor i Zyrës së GIZ-së për Kosovë dhe Maqedoni, Michael Klingler – Menaxher në Selinë Qendrore të GIZ-së për Kosovë dhe Maqedoni, ndërsa përfaqësues nga KFW ishin: z.Rene Eschemann – Drejtor rajonal i KFW-së për Shqipëri dhe Kosovë , z.Ester Gravenkötter – Drejtor rajonal i KfW-së për Shqipëri dhe Kosovë, që nga korriku 2013 dhe znj. Bahrije Dibra , Koordinatore e Projekteve Financiare të KFW-së në zyrën për Kosovë.