27/03/2013
Në vazhdën e takimeve pas konferencës ndërkombëtare të sigurimeve të mbajtur dje në Prishtinë, një delegacion i lartë i Këshillit të Byrove të Sistemit të Kartonit të Gjelbër i udhëhequr nga z. Maurius Wichtowski, President i Këshillit të Byrove, ka vizituar Bankën Qendrore të Republikës së Kosovë më ç’rast u prit nga Guvernatori Bedri Hamza.
Duke vlerësuar lartë vizitën e këtij delegacioni, Guvernatori Hamza shkurtimisht ka njoftuar delegacionin mbi zhvillimin e industrisë së sigurimeve në Republikën e Kosovës si dhe për të arriturat dhe sfidat e kësaj industrie.
Një çështje mjaftë me rëndësi që u diskutua në këtë takim ishte gjetja e modalitetit për anëtarësim në Sistemin e Kartonit të Gjelbër. Guvernatori Hamza ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë si me industrinë e sigurimeve ashtu edhe me të gjitha institucionet dhe akterët relevantë vendor dhe ndërkombëtar më qëllim të zgjidhjes sa më të shpejt të kësaj çështje.
Duke vlerësuar lartë progresin e arritur në fushën e legjislacionit për sigurimet, delegacioni i kryesuar nga z. Wichtowski është shprehur se do të vazhdojë të mbështes Kosovën në këtë proces.