Guvernatori Hamza priti në takim Përfaqësuesin e Ri Rezidencial të FMN-së në Kosovë

04/08/2014

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, priti sot në një takim njohës Përfaqësuesin e Ri Rezident të FMN-së në Kosovë, z. Frank Lakwijk. Në këtë takim, Guvernatori Hamza falënderoi FMN-në për ndihmën e vazhdueshme, që i ka dhënë Kosovës dhe institucioneve të saja dhe përmendi zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve të kaluara me FMN-në. Ai njoftoi z.Lakwijk me përgjegjësitë dhe angazhimet aktuale të BQK-së, si dhe me sfidat me të cilat po ballafaqohet ky institucion. Më tej, ai njohu përfaqësuesin e ri të FMN-së me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, me ç’rast theksoi se ky sektor vazhdon të ketë një qëndrueshmëri të vazhdueshme duke operuar në pajtim të plotë me ligjet dhe rregulloret pa përjashtim. Po ashtu, Guvernatori Hamza, shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë institucional me FMN-në. Në fund, ai shprehu një falënderim të veçantë për Përfaqësuesin Rezident në largim, z. Jose Sulemane, për përkushtimin dhe punën e tij të suksesshme gjatë katër viteve të kaluara.

Nga ana e tij, Përfaqësuesi i Ri Rezident i FMN-së, Frank Lawijk, shprehu përkushtimin e tij, që të vendosë një bashkëpunim shumë të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin midis institucioneve të Kosovës dhe FMN-së.