17/01/2014
Me rastin e vizitës së tij në Kosovë, ministri i financave i Republikës së Shqipërisë, z. Shkëlqim Cani me bashkëpunëtorë u prit në një takim nga guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z.Bedri Hamza .
Me këtë rast guvernatori Hamza shkëmbeu informacion mbi zhvillimet ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe falënderoi z. Cani për mbështetjen që shteti shqiptar ka dhënë dhe është duke dhënë në zhvillimin e sektorit financiar në Kosovë.
Guvernatori po ashtu ka njoftuar ministrin Cani dhe delegacionin që kryesonte edhe për bashkëpunimin, që institucioni i BQK-së ka me Bankën e Shqipërisë dhe me institucionet e tjera, që kanë fushëveprimin e përbashkët në sferën e industrisë së sigurimeve dhe asaj financiare në përgjithësi.
Në vijim Guvernatori Hamza falënderoi ministrin Cani për vizitën dhe për kontributin, që subjektet ekonomike shqiptare kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin me pjesëmarrjen në treg, e të cilat i nënshtrohen rregullativës dhe autoritetit mbikëqyrës dhe rregullator të BQK-së, të cilët operojnë në fushën bankare dhe industrinë e sigurimeve.
Tema tjera të shtjelluara gjatë diskutimit kishin të bënin në përgjithësi me mbarëvajtjen e punëve dhe performancën e këtyre institucioneve, që janë të pranishme në tregun financiar të Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan po ashtu që bizneset e të dyja palëve të jenë më të pranishme në të dyja vendet. Në këtë takim , ministri Cani shoqërohej edhe nga zëvendësministri Ervin Mete , drejtoresha e politikave dhe marrëdhënieve fiskale znj. Arjana Dyrmishi dhe ambasadori fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Kosovë z.Islam Lauka.