31/03/2012
Guvernatori Gërguri ka pritur një delegacion zviceran i përbërë nga Ministri për Ambient dhe shef i Qeverisë së kantonit Jura, Philippe Receveur, kryetari i kryeqytetit Delemont të Juras, Pierre Kohler, si dhe Xhevxhedin Ahmeti kryetar i Bashkësisë Shqiptare të Kantonit Jura dhe Afrim Ramabaja, anëtar i Bashkësisë Shqiptare.
Duke iu përgjigjur interesimit të delegacionit zviceran rreth rolit dhe detyrave të BQK-së, pastaj situatës aktuale ekonomike në vend si dhe mundësive për investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, Guvernatori Gërguri ka nënvizuar rolin dhe rezultatet e BQK-së në sigurimin e stabilitetit financiar në vend. Pastaj, krahas elaborimit mbi qendrueshmërinë e mirë financiare dhe fiskale të vendit, Guvernatori Gërguri i ka njoftuar mysafirët mbi mundësitë e shumta që i ofron Kosova për investime të huaja sidomos në sektorët si ai i arsimit, energjisë, bujqësisë, turizmit dhe sektori financiar. Në veçanti, duke marrë parasysh profilin stabil dhe atraktiv të sektori financiar të Kosovës si dhe numrin e bashkatdhetarëve që jetojnë e punojnë në Zvicër, Guvernatori Gërguri ka bërë ftesë që investitorët zviceran të konsiderojnë për të investuar në sistemin bankar dhe në industrinë e sigurimeve në Kosovë.