Guvernatori Bedri Hamza priti një delegacion të lartë te Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

18/02/2015

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Bedri Hamza ka pritur sot një delegacion të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar  nga Drejtori për Evropën Qendrore dhe Juglindore për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH z.Jean –Marc Petterschmitt, i cili shoqërohej edhe nga Drejtori i  zyrës në Prishtinë z.Anton Kobakov me bashkëpunëtorë. 
Guvernatori Hamza me këtë rast i ka  falënderuar përfaqësuesit e BERZh-it për realizimin e kësaj vizite të nivelit të lartë në Kosovë, duke i  njoftuar  ata me veprimtarinë e BQK-së si dhe me gjendjen dhe ecuritë aktuale në sistemin financiar dhe ekonominë e vendit. Më tej Guvernatori  në emër të institucionit që drejton , adresoi falëndërime për   delegacionin e BERZH-it , sidomos  për mbështetjen, punën dhe kontributin e madh  dhe të parezervë që këta të fundit kanë dhënë dhe po japin në Kosovë. Me këtë rast Guvernatori në cilësinë e nikoqirit  ka prezentuar  para mysafirëve të arriturat,  që ndërlidhën me  zhvillimet e industrisë financiare  në vitin që kemi lënë pas dhe për treguesit e shënuar  për  periudhën e tanishme të këtij viti, duke  nënvizuar se  kemi të bëjmë me  tregues  pozitivë,  që janë  bazë për  një shëndetshmëri të sistemit  dhe të stabilitetit financiar, si dhe të një  qëndrueshmërie të  zhvillimit ekonomik në  vend.
Ndërsa z. Jean-Marc Peterschmitt e ka informuar Guvernatorin edhe për mundësitë e mbeshtetjës në projektet e ardhshme  të cilat  BERZH-i mund t’i japë Kosovës,  sidomos në sferën  e sektorit privat,  ku kjo e fundit do të ndihmonte me mënyrat e financimit të këtyre projekteve. Në anën tjetër Guvernatori Hamza ka shprehur konsideratën për të gjitha projektet e BERZh-it në Kosovë dhe  në veçanti,  pjesëmarrjën e BERZH-it në projektet qoftë me pjesëmarrje në  industrinë bankare, apo me linjat  biznesore, duke u ndalur në projektin mjaft të rëndësishëm për  fushën financiare, siç është  linja kreditore  e cila i është dhënë  Fondit për  Sigurim të Depozitave të Kosovës (FSDK). Kjo linjë kreditore sipas Guvernatorit Hamza  ka një  peshë të theksuar në  zhvillimin dhe fuqizimin e  sektorit bankar të Kosovës.
Ndërsa z.Peterschmitt në cilësinë e Drejtorit të BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, potencoi  gatishmërinë e institucionit pjesë e të cilit është, se  edhe në të ardhmen  do të mbështetin projektet të cilat vijnë qoftë nga sektori privat apo ai publik, të cilat  do të ndërlidhën drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik të Kosovës. Në fund ,Guvernatori Hamza, nga delegacioni i lartë i BERZH-it  mori përkrahje për mbeshtetje të vazhdueshme të projekteve, që ndërlidhen qoftë me BQK-në apo me institucionet dhe sektorët e rëndësishëm të ekonomisë së vendit.