FMN vlerëson masat e ndërmarra nga BQK për tejkalimin e krizës nga pandemia

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njohur angazhimin dhe qeverisjen efektive të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, sektori bankar ka arritur të përballojë mirë situatën e krijuar, si rezultat i masave të ndërmarra për përballimin e pandemisë.

Bankat e kanë përballuar mirë recesionin deri më tani, duke u mbështetur në nivelet e larta të likuiditetit dhe të kapitalit të para pandemisë Covid-19, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.

FMN gjithashtu, ka njohur edhe masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për ristrukturimin e kredive, ndërsa në dhjetor të vitit 2020, të gjitha bankave iu kërkua të zbatojnë kërkesat rregullatore që kanë qenë në fuqi para pandemisë Covid-19. Të dhënat paraprake sinjalizojnë një portofol të shëndetshëm të kredive, me mundësi për një rritje të lehtë të kredive joperformuese në muajt në vijim.

Në fund të vitit 2020 asetet e sektorit bankar shënuan rritje prej më shumë se 12 përqind. Niveli i kredive joperformuese ishte 2.63 për qind, raporti i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione ishte 143.27 për qind, përderisa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.7 përqind, thuhet në raport.

Reformat e zbatuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vitet e kaluara, të cilat u fokusuan në forcimin e sigurisë financiare dhe kornizës mbikëqyrëse bankare, ndihmuan në zbutjen e presioneve nga pandemia.

Shumë nga reformat e zbatuara, janë disenjuar me mbështetjen e FMN-së dhe BQK-ja mbetet e përkushtuar të vazhdojë forcimin e kapaciteteve dhe sistemeve të saj, përfshirë edhe zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i Rishikimit të Stabilitetit të Sistemit Financiar.

Së këndejmi, drejtorët ekzekutivë të FMN-së rekomanduan autoritetet që të monitorojnë nga afër cilësinë e aseteve bankare, të sigurojnë transparencë në pasqyrimin e humbjeve pasi të hiqet toleranca rregullatore dhe të forcojnë më tej kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Për më shumë detaje mund t’i qaseni raportit të plotë në vegëzën:

https://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2021/02/17/Republic-of-Kosovo-2020-Article-IV-Consultation-Press-Release-Staff-Report-and-Statement-by-50104