FMN-ja publikon deklaratën Përmbyllëse të Misionit të Artikullit IV për Kosovën

05/11/2021

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përmbyllur Misionin e Artikullit IV në Kosovë për vitin 2021, me të cilin rast ka prezantuar një deklaratë përmbyllëse.

FMN-ja ka vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar. Kjo shprehet nëpërmjet  niveleve të larta të kapitalit dhe të likuiditetit, në njërën anë si dhe kredive joperformuese në nivele të ulëta, në anën tjetër, të cilat janë pjesërisht si rezultat i  masave të ndërmarra nga BQK-ja lidhur me pandeminë.

Në deklaratën përmbyllëse të Misionit Vlerësues  për Artikullin IV, FMN-ja konstaton se vendimet e BQK-së për ristrukturimin e kredive kanë mundësuar rritjen e kreditimit, të cilat do të kenë rritje vjetore prej mbi 10% gjatë vitit 2021.

Më tutje deklarata përmbyllëse e FMN-së përcakton edhe prioritetet e politikës financiare siç janë: ruajtja e pavarësisë së Bankës Qendrore, kompletimi sa më i shpejtë i Bordit të Bankës Qendrore, rritja e mëtutjeshme e Fondit Emergjent të Likuiditetit, i cili mund të bëhet nga ndarja e re e SDR-ve (special drawing rights), si dhe vazhdimi i monitorimit të rrezikut kreditor, sidomos në zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së për të analizuar rrezikun e bankave në kontekst të aplikimit të Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar 9.

https://www.imf.org/en/News/Articles/2021/11/05/pr21321-kosovo-imf-staff-completes-2021-article-iv-mission