22/03/2012
BANKA QENDRORE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
I nderuar Kryetar i Bordit të BQK-së,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare
Të nderuar përfaqësues të mediave, mysafirë dhe kolegë,
Zonja dhe zotërinj,
Në vazhdën e publikimeve rreth zhvillimeve në ekonominë e vendit, sot po prezantojme para jush Raportin e Bilancit të Pagesave. Ky publikim pasqyron zhvillimet kryesore në bilancin e pagesave të ndërlidhura me zhvillimet kryesore makroekonomike në ekonominë e vendit. Krahas sektorit financiar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i kushton vëmendje të veçantë edhe zhvillimeve në sektorë tjerë të ekonomisë së vendit, të cilët bashkarisht përcaktojnë dinamikën e zhvillimit ekonomik.
Bilanci i Pagesave, siç dihet, pasqyron të gjitha transaksionet ekonomike të një vendi me vendet tjera. Në kohën e globalizimit të sotëm, kur këmbimet tregtare dhe transaksionet tjera financiare ndërmjet vendeve vazhdimisht po rriten, rëndësia e bilancit të pagesave bëhet edhe më e madhe, duke pasqyruar kështu performancën e ekonomisë së një vendi karshi ekonomive tjera.
Përkundër zhvillimeve jo të favorshme në ekonominë globale, gjatë viteve të fundit, ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet, duke u karakterizuar me stabilitet fiskal e financiar. Konsumi dhe investimet e sektorit privat vazhdojnë të jenë shtytësit kryesor të rritjes ekonomike në vend. Rritja dyshifrore e kredisë bankare, rrjedha stabile e dërgesave të emigrantëve si dhe investimet e huaja kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në rritjen e konsumit dhe investimeve të sektorit privat. Njëkohësisht, kontribut të rëndësishëm në rritjen e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik kanë dhënë edhe investimet publike.
Sidoqoftë, faktorët e lartpërmendur kryesisht pëfaqësojnë elemente të kërkesës së brendshme në Kosovë, ndërsa kontributi i kërkesës së jashtme për rritjen ekonomike (i shprehur në veçanti përmes eksporteve) vazhdon të jetë mjaft i kufizuar.
Ekonomia e Kosovës karakterizohet me nivel të ulët të eksporteve dhe mbështetje tepër të lartë në importe, duke rezultuar kështu në një normë mjaft të lartë të deficitit tregtar prej rreth 44% e PBB-së, që është edhe shkaktari kryesor i deficitit të llogarisë rrjedhëse në vend.
Vlera e ulët e eksporteve nga Kosova vjensi rezultat i prodhimit vendor në shkallë të ultë gjë që imponon një nivel të lartë të importit për të përmbushur nevojat e konsumit. Krahas nevojës për rritje të prodhimit, rritja e eksportit poashtu kërkon rritjen e produktivitetit në prodhimin ekzistues, në mënyrë që prodhimet tona të jenë sa më konkurruese në tregjet e jashtme.
Sidoqoftë, rritja e prodhimit vendor dhe veçanërisht e eksporteve, në kushte të globalizimit, kur evoluimi teknologjik dhe inovacionet në procesin e prodhimit kanë marrë hov të shpejtë të zhvillimit nënkupton një proces jo të lehtë, i cili nuk varet vetëm nga mundësia për të prodhuar, por edhe nga aftësia për të konkurruar si brenda ashtu edhe jashtë vendit me prodhuesit nga vendet tjera.
Për këtë arsye, rritja e prodhimit dhe eksporteve kërkon një bashkëveprim edhe më të madh ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve tjera në vend për të sigurar rritjen e nivelit të përgjithshëm të produktivitetit të fuqisë punëtore në vend, gjë e cila do të ndikonte në rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së industrisë vendore.Rritja e produktivitetit padyshim se nënkupton një proces të gjatë i cili fillon nga rritja e cilësisë së arsimimit bazik deri te programet më të avancuara për nxitjen hulumtimeve zhvillimore, të cilat janë parakusht për zhvillimin e inovacioneve në një ekonomi dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve të prodhuara në atë ekonomi.Në fakt, një prej rregullave të arta të konkurrueshmërisë, e pranuar globalisht, ka të bëjë me nevojën për investime thelbësore në shkollim dhe në trajnim permanent të fuqisë punëtore.
Përveç bilancit tregtar që, siç e ceka, paraqet një pozitë jo të favorshme të ekonomisë së Kosovës kundrejt ekonomive tjera, bilanci i pagesave reflekton edhe kategori tjera të transaksioneve të cilat kanë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike në vend siq janë transferet rrjedhëse, të cilat dominohen nga dërgesat e emigrantëve. Për dallim prej disa vendeve tjera të rajonit, Kosova ka vazhduar të shënojë rritje të dërgesave të pranuara edhe gjatë vitit 2011. Kështu, deri në shtator 2011, vlera e dërgesave të emigrantëve arriti në 393 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 5 përqind. Rritja e dërgesave të emigrantëve edhe gjatë kësaj periudhe në masë të madhe është si rezultat i asaj që pjesa më e madhe e dërgesave të emigrantëve në Kosovë vjen nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto të cilat janë ndikuar më pak nga kriza e fundit.
Bilanci pozitiv i llogarisë së transfereve rrjedhëse kontribuoun në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse, duke mënjanuar deri diku efektin negativ të bilancit tregtar. Hulumtimet e bëra tregojnë se pjesa më e madhe e dërgesave të emigrantëve në vend kanë për destinim financimin e konsumit të ekonomive familjare. Në këtë kontekst, duke pasur parasysh potencialin mjaft të lartë financiar të emigrantëve kosovar, duhet të bëhen përpjekjet që mjetet financiare të emigrantëve tonë të angazhohen në ekonominë e vendit edhe në formë të investimeve, gjë e cila do të siguronte një shfrytëzim shumë më produktiv të këtyre mjeteve, me mundësi për të rritur prodhimin dhe punësimin në vend.
Një kategori tjetër e rëndësishme në bilancin e pagesave, që i takon llogarisë kapitale dhe financiare, ka të bëjë me investimet e huaja direkte, të cilat po ashtu paraqesin një kategori shumë të rëndësishme për nivelin e përgjithshëm të investimeve në vend dhe për aktivitetin ekonomik në përgjithësi. Deri në shtator 2011, shuma e përgjithshme e investimeve të huaja direkte në Kosovë arriti në 292.7 milionë euro, rritje vjetore prej 24.5%.
Me gjithë rritjen e vazhdueshme, niveli aktual i investimeve të huaja vlerësohet të jetë i pamjaftueshëm karshi mundësive të mëdha që ofron ekonomia e Kosovës. Në këtë kontekst, duhet bërë përpjekjet për të siguruar një ambient sa më të favorshëm afarist duke shfrytëzuar përrparësitë që vijnë nga pozita e favorshme gjeografike, pasuritë e mëdha natyrore, struktura e re e popullsisë e deri te politikat e favorshme fiskale dhe stabiliteti i përgjithshëm makroekonomik.
Gara për tërheqjen e investimeve të huaja sa shkon e forcohet ndërmjet shteteve dhe kjo bëhet edhe më e vështirë kur marrim parasysh vështirësitë nëpër të cilat po kalon ekonomia botërore. Andaj, kërkohet një koordinim edhe më i madh ndërinstitucional për të avancuar si infrastrukturën e ashtuquajtur ‘të fortë” ashtu edhe infrastrukturën e ‘butë’, për të avancuar jo vetëm nga pikëpamja e atraktivitetit (joshja e investitorëve të huaj) por njëkohësisht edhe nga ajo e agresivitetit (lansimi i shërbimeve dhe prodhimeve për eksport). Kjo patjetër, sepse deficiti i llogarisë rrjedhëse në afat të gjatë paraqet sfidë serioze për stabilitetin makroekonomik të vendit.Thënë kështu, perspektiva e përmirësimit të Bilancit të Pagesave është ngushtë e lidhur me rritjen e aftësisë sonë për të rishikuar ose ridizajnuar modelin e deritashëm të zhvillimit ekonomik të vendit.
***
Raporti i sotëm shënon progresin e bërë nga ana e personelit të BQK-së si nga aspekti i përpilimit ashtu edhe analizës së bilancit të pagesave.
Nga aspekti i përpilimit të bilancit të pagesave, BQK-ja ka arritur që brenda një afati të shkurtër kohor të shënojë progress thelbësor duke përpiluar dhe raportuar bilancin e pagesave në baza tremujore. Për këtë, dua të shfrytëzojë rastin të përgëzojë stafin e Divizionin të Bilancit të Pagesave i cili nën lidershipin e ekspertit tonë dhe njëkohësisht ekspertit të FMN-së, Bedri Zymeri,kanë bërë një punë të shkëlqyeshme.
Ju falemnderit!