17/01/2012
Fjalimi i Guvernatorit Gërguri me rastin e mbylljes së Ankandit të parë të Bonove të Thesarit
të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 17 janar 2012, BQK.
I nderuar Ministër Hamza,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar mysafirë dhe kolegë,
Zonja dhe zotërinj,
Sot është një ditë historike sepse jemi mbledhur për të shënuar fillimin e një etape të re të zhvillimit të tregut financiar dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi. Sektori financiar i vendit, duke qenë njëri ndër promotorët kryesorë të aktivitetit ekonomik, gjatë dekadës së fundit është zhvilluar me ritëm të shpejtë, duke ofruar shërbime financiare bashkëkohore dhe duke treguar nivel të lartë të qëndrueshmërisë.
Përmes emetimit të Bonove të Thesarit me afat të shkurtër të maturimit, po nis hapi i parë në themelimin edhe të tregut të parasë në vendin tonë. Ky hap është rezultat i pjekurisë dhe shëndetshmërisë së mirë të sektorit financiar, pastaj i zhvillimit adekuat institucional si dhe i stabilitetit makroekonomik në vend.
Meqenëse është hap i parë, është shumë me rëndësi që ecja e mëtejme të jetë e përcjellë me kujdesin e duhur nga të gjithë akterët në mënyrë që ky hapërim të rezultojë me rritje të mëtejme, si në numër ashtu edhe në cilësi, të profilit të emetuesve, të investitorëve dhe të infrastrukturës që bashkarisht shpiejnë drejt fazës së ardhshme të zhvillimit të tregut financiar, përkatësisht drejt zhvillimit të tregut të kapitalit.
Fillimi i emetimit të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës ka kërkuar përgatitje të shumta, duke filluar nga ato rregullative deri te ato më teknike. Ne sot jemi këtu falë një bashkëpunimi të ngushtë të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe bankave komerciale si dhe falë një mbështetje të madhe nga ana e ekspertëve të Departamentit të Thesarit të SHBA-ve. Në veçanti, dua të nënvizoj përkushtimin e personelit të BQK-së dhe të Thesarit të cilët për të na sjellë këtu punuan me orë të tëra jashtë orarit të rregullt përfshirë edhe punën gjatë uikendeve.
Emetimi i Bonove të Thesarit të Qeverisë së Kosovës paraqet një lajm shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit, pasi që krijon një kanal shtesë dhe shumë të rëndësishëm për mobilizimin e mjeteve financiare në vend. Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës po krijon një mundësi të re për të siguruar mjete të nevojshme financimi, ndërsa investitorëve institucional përfshirë edhe qytetarët e Kosovës, po u krijohet një alternativë e re për investimin e mjeteve të tyre të lira. Ky pikëtakim është me benefit për të gjitha palët e involvuara.
Zhvillimi i tregut të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës ka një rëndësi të veçantë për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës pasi që kjo kontribuon në fuqizimin e mëtejmë të rolit të saj në sigurimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar si dhe shpërndarjen efikase të resurseve në kushtet e tregut të hapur dhe konkurrues.
Tregu vendor i letrave me vlerë pritet të rris stabilitetin e përgjithshëm financiar dhe të avancojë ndërmjetësimin financiar përmes rritjes së konkurrencës dhe zhvillimit të infrastrukturës, produkteve dhe shërbimeve financiare. Ky treg do ndihmojë në profilizimin e ri të sistemit financiar prej atij që deri sot ishte njësegmentor (i bazuar në banka) drejt një sistemi me profil shumësegmentor, ku tregu i parasë dhe mëpastaj edhe tregu i kapitalit e plotësojnë financimin bankar.
Në afatmesëm dhe afatgjatë, kjo do ndikojë që edhe ndërmjetësimi kreditor të bëhet edhe më konkurrues si dhe do nxis lansimin e produkteve të reja financiare. Duhet nënvizuar se zhvillimi i tregut të letrave me vlerë rezulton edhe me përparësinë e krijimit të një infrastrukture të gjerë të informacionit, asaj ligjore dhe institucionale prej së cilës përfiton i tërë sistemi financiar.
Bonot e Thesarit te Qeverise se Kosoves kane nje rendesi te vecante per sistemin bankar. Duke pasur tash edhe një alternativë të re për investim, bankat komerciale do rrisin efiçiencën dhe kjo rritje e efiçiencës gradualisht pritet të ketë efekte pozitive edhe në uljen e kostos së ndërmjetësimit financiar.
Gjithashtu, duhet theksuar se ky lloj i tregut do t’i mundesoje sistemit bankar te rris bilancin e tij te gjendjes dhe ate me asete qe sipas standardeve nderkombetare konsiderohen pa rrezik. Ne kete kontekst edhe BQK-ja ka amandamentuar rregulloret përkatëse mbikëqyrëse mbi trajtimin e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës sipas këtyre standardeve ku për nevoja të adekuatshmërisë së kapitalit këto letra me vlerë trajtohen me zero rrezik, ndërsa për nevoja të ekspozimit kreditor ato bëjnë përjashtim nga limitet e caktuara si përqindje e kapitalit të klasit të parë kurse për nevoja të likuiditetit trajtohen ekuivalente me paranë e gatshme.
Kur kësaj i shtojmë edhe aspektet tjera rregullative e ligjore që Kosova u ofron ndërmjetësve financiar që të operojnë me kapacitetin e tyre të plotë si dhe gatishmërinë për të ndërtuar një sistem të menaxhimit të borxhit të qendrueshëm në shkallë vendi, nuk kemi arsye pse të mos besojmë se në një të ardhme të afërt Ankandin e sotëm do ta mbajmë mend si gurthemel i një tregu më gjithëpërfshirës të letrave me vlerë të qeverisë i cili do shërbejë si katalizator i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Ju falemnderit!