27/03/2013
I nderuar z. Abazi
I nderuar Zëvendeskryeministër Kuçi
I nderuar z. Vitovski, z. Elvers dhe zonja Flore
Të nderuar përfaqësues nga industria e sigurimeve dhe ju të pranishëm
Industria e Sigurimeve në Republikën e Kosovës, që nga fillimi e deri më sot ka kaluar një rrugë jo shumë të gjatë në kuptimin e kohës por mjaft të pasur në kuptimin e zhvillimit të saj.
Zhvillimi i kësaj industrie ka ecur nëpër një proces të përbashkët me zhvillimin e sektorit financiar në vend, duke u nisur nga niveli zero e deri në ditët e sotme, kur industria e sigurimeve e vendit përballet me sfidat thuajse të ngjashme me ato të vendeve të rajonit dhe me gjerë.
Si një industri e përballur me ekzistimin e kornizës ligjore të mangët, në vitet e para të funksionimit të saj, tani industria e sigurimeve është në një fazë mjaft të avancuar sa i përket kësaj çështje. Me një rol aktiv të BQK-së dhe industrisë së sigurimeve është miratuar Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, pastaj BQK-ja ka nxjerr legjislacionin sekondar dhe është në fazën finale të draftimit të Ligjit për Sigurimet e Përgjithshme, duke bërë që shumë shpejt ky segment i sektorit financiar të vendit të kompletohet në aspektin e legjislacionit.
BQK-ja përveç] kontributit në aspektin e rregullimit dhe mbikëqyrjes së kësaj industrie, njëherësh ka ndihmuar mjaft industrinë në kuptim të përmbushjes së sfidave, të dala nga legjislacioni që u përmend më parë në veçanti në themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimit.
Para themelimit të Byrosë, BQK-ja ishte bartëse kyçe e përpjekjeve për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Sistemin e Kartonit të Gjelbër, ku përveç tjerash ka zhvilluar edhe takime me përfaqësues të Këshillit të Byrove, që janë edhe të pranishëm në këtë konferencë, të cilët i falënderoj për bashkëpunimin dhe mbështetjen dhënë këtij procesi. Megjithatë, mbështetur në rëndësinë që ka për vendin çasja në këtë sistem, aktualisht janë duke u bërë përpjekje për gjetjen e modaliteteve adekuate për të siguruar çasjen e Republikës së Kosovës në këtë sistem dhe me këtë rast u bëj thirrje përfaqësuesve të Këshillit të Byrove, që janë sot këtu me ne që ta mbështesin Byronë Kosovare të Sigurimit në këtë rrugëtim.
Dua të theksoj që BQK-ja do të vazhdojë me shumë përkushtim ta mbështesë Byronë Kosovare, në këtë proces dhe procese tjera të ngjashme me rëndësi për sektorin financiar dhe ekonominë e vendit.
Duke ju dëshiruar punë të mbarë në këtë konferencë, krejt në fund më lejoni të theksojë se është për t’u vlerësuar lartë roli dhe kontributi i industrisë së sigurimeve, në zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi dhe ju garantoj, që BQK-ja përmes mbikëqyrjes dhe rregullimit efektiv do të kontribuojë dhe do të përkrahë zhvillimin e industrisë së sigurimeve në vend për të tejkaluar sfidat: si anëtarësimi në mekanizma relevant ndërkombëtar në veçanti në sistemin e Kartonit të Gjelbër, avancimin e procesit të liberalizimit të produktit të sigurimit ndaj palës së tretë, afirmimin e produkteve vullnetare dhe sjelljen e produkteve të reja të sigurimeve në tregun kosovar.
Ju falemnderit