23/07/2013
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik që sot për herë të parë ka realizuar me sukses procesimin, bartjen, transferimin dhe shlyerjen finale të rreth 153 mijë transaksioneve të pagesave për katër skema sociale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale(MPMS), përmes Skemës së Pagesave Masive të Sistemit Elektronik të Kliringut Ndërbankar (SEKN).
Procesi i transferimit dhe përpunimi elektronik i të dhënave të pagesave për katër kategoritë e skemave sociale në fjalë të MPMS, përmes Sistemit Elektronik të Kliringut Ndërbankar, karakterizohet me një standardizim dhe automatizim të lartë të mënyrës së pagesës, si dhe me një proces të shpejtë, të lehtë dhe të sigurt të realizimit të tyre. Rrjedhimisht, kjo mënyrë e kryerjes së pagesave, konsiderohet me dobi për të gjithë akterët dhe komunitetin e pagesave në përgjithësi. Kjo mënyrë e procesimit, bartjes, shlyerjes dhe e transferimit të të dhënave në mënyrë elektronike deri te banka pranuese, ka bërë të mundur eliminimin e mënyrave të deritanishme më pak efikase të komunikimit dhe përpunimit të të dhënave të pagesave, si me CD, e-mail, lista (letër), etj.
Mënyra e re e procedimit të pensioneve dhe përfitimeve të tjera lehtëson konsiderueshëm mënyrën e pagesave të pensioneve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Prandaj, përveç Ministrisë së Administratës Publike (MAP), pjesëmarrëse në këtë skemë tashmë është edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), e cila sot për herë të parë realizoi kategoritë e pagesave të skemave pensionale për muajin korrik, 2013.
Zhvillimi dhe përsosja e vazhdueshme e skemës së pagesave masive në Sistemin Elektronik të Kliringut Ndërbankar, paraqet arritje me rëndësi të madhe në zhvillimin e sistemit të pagesave me vlera të vogla në vendin tonë. Kjo skemë është shfrytëzuar deri më tani nga të gjitha bankat komerciale në vend dhe nga disa institucione e agjenci qeveritare për të cilat është njoftuar opinioni publik edhe më herët.
Shfrytëzojmë nga rasti të falënderojmë për bashkëpunim të ngushtë, Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale , të gjitha bankat komerciale që operojnë në Kosovë, si dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës . Bashkëpunimi i vazhdueshëm do të na mundësojë realizimin e objektivave tona, të parapara në kuadër të Strategjisë së Zhvillimit të Sistemit Kombëtar të Pagesave në Kosovë”.