Delegacioni i BQK-së, pjesë e Takimeve Pranverore të BB-së dhe FMN-së

08/04/2019

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, i shoqëruar nga Kryesuesi i Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori, Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli dhe shefi i kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari po marrin pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që mbahen në Uashington nga data 8 deri më 13 prill 2019.

Delegacioni i BQK-së do të takohet të enjten me Misionin e FMN-së për Kosovën ku temë diskutimi do të jenë: Zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, implementimi i buxhetit, rreziqet fiskale, etj.

Gjithashtu, një takim do të mbahet me zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, Tao Zhang dhe drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Poul Thomsen ku do të flitet për Zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, si dhe relacionet e Kosovës me FMN-në.
Delegacioni i BQK-së do të takoj edhe drejtuesit e Departamentit të Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të FMN-së, nga të cilët do të kërkohet asistencë teknike, si dhe implementimin FSSR-së.
Gjatë zhvillimit të takimeve pranverore të Bankës Botërore dhe të FMN-së, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti do të takohet edhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder ku do të diskutohet për zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, politikën zhvillimore të kredive (Development Policy Loan (DPL), portofolion e projekteve me BB-në dhe statusi i implementimit të tyre, pastaj projektet që do të planifikohen të realizohen dhe do të parashtrohen kërkesat për asistencë teknike.
Delegacioni i BQK-së do të marrë pjesë edhe në takimin hapës të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së ku temë e takimit do të jetë: Zhvillimet dhe perspektivat globale.
Po ashtu, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti bashkë me ministrin e Financave, Bedri Hamza do të jenë pjesëmarrës në diskutimin e Guvernatorëve dhe Ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore në kuadër të Perspektivës Ekonomike Rajonale për Evropën Qendrore dhe Juglindore, ku si temë do të jenë Parashikimet ekonomike të FMN-së për rajonin, Ndërmarrjet Publike dhe Menaxhimi i tyre.