12/10/2010
Në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të BQK-së, z.Gani Gërguri i shoqëruar nga Kryetari i Bordit të BQK-së, z.Gazmend Luboteni, mori pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), më 8-9 tetor 2010, në Washington D.C.
Krahas pjesëmarrjes në seancën plenare të Bordit të Guvernatorëve, delegacioni i BQK-së pati takime me departamentet relevante të FMN-së dhe të BB-së. Në takimet me zyrtarë të lartë të departamenteve të FMN-së (tregu monetar dhe i kapitalit, statistikat, financat, etj.), u konfirmua vazhdimi edhe më i theksuar i asistencës teknike në lëmitë si legjislacioni financiar, qeverisja korporative dhe kyçja e Republikës së Kosovës në Sistemin e Shpërndarjes së përgjithshme të të dhënave (GDDS). Në takimet me zyrtarë të lartë të departamenteve të BB-së u rikonfirmua përkushtimi reciprok për realizimin e projekteve ekzistuese në kuadër të asistencës teknike për sektorin financiar si dhe atë mbi financimin plotësues ndërlidhur me projektin e sistemit kombëtar të pagesave, duke elaboruar njëkohësisht edhe planin për përgatitjet për përfshirjen e Kosovës në Programin e Vlerësimt të Sektorit Financiar nga ana e BB-së dhe FMN-së.