Çmimi i BQK-së për ekonomistët e rinj

16/09/2016

Në funksion të nxitjes së aktivitetit hulumtues në mesin e ekonomistëve të rinj, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, shpall konkurs për tri punimet më të mira hulumtuese në fushën e ekonomisë dhe financave. Punimi që do të vlerësohet si punimi më i mirë do të shpërblehet me 750 euro; punimi i dytë më i mirë do të shpërblehet me 550 euro; dhe punimi i tretë më i mirë do të shpërblehet me 450 euro. Në rast të mungesës së punimeve që plotësojnë kriteret e përcaktuara, komisioni vlerësues në kuadër të BQK-së ruan të drejtën e zvogëlimit të numrit të punimeve të propozuara për shpërblim.
Rregullat e pranimit:
1. Punimi i dorëzuar mund të jetë punim i punuar enkas për konkursin e shpallur, por mund të jetë edhe në formën e një teme diplome (bachelor), temë diplome pasuniversitare (master) apo të jetë pjesë e një teme doktorature (PhD).
2. Punimi mund të ketë një ose më shumë autorë. Në rastet me më shumë autorë, aplikimi për çmimin e BQK-së duhet të bëhet nga autori kryesor.
3. Në rastet kur punimi është pjesë e një teme diplome, autori duhet të ketë aktualisht të regjistruar temën e diplomës apo të ketë përfunduar atë jo më larg se 12 muaj para afatit të paraqitjes së punimit.
4. Punimi duhet të jetë i shkruar në gjuhën shqipe ose në gjuhën angleze.
5. Punimi i dorëzuar duhet të ketë jo më pak se 4,000 fjalë dhe jo më shumë se 8,000 fjalë, përfshirë abstraktin dhe referencat. Lloji i fontit duhet të jetë Times New Roman, madhësia e fontit 12 dhe hapësira ndërmjet rreshtave duhet të jetë dyfishe.
6. Abstrakti i punimit nuk duhet të ketë më shumë se 250 fjalë. Duhet të jetë konciz dhe i mbështetur në fakte. Abstrakti duhet të paraqesë qartë qëllimin e hulumtimit, gjetjet dhe përfundimet kryesore.
7. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga personeli i caktuar i BQK-së, do të vlerësojë punimet duke përdorur kriteret si në vijim: (a) rëndësia e temës për sistemin financiar dhe ekonominë e Kosovës; (b) cilësia e përgjithshme e punimit, duke përfshirë parashtrimin e hipotezave të punimit, metodologjinë hulumtuese dhe gjetjet; dhe (c) cilësia e të shkruarit.
8. E gjithë literatura dhe burimet e pëdorura në punim duhet të jenë të referuara saktë, dhe lista e plotë e referencave të vendoset në fund të punimit.
9. Dorëzimi: punimet duhet të dorëzohen në version elektronik në formatin Word në adresën elektronike info@bqk-kos.org të shoqëruara nga tri kopje të shtypura të dërguara në adresën:
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës,
Attn. Çmimi i BQK-së për ekonomistë të rinj,
Rruga Garibaldi, nr. 33, 
10000, Prishtinë,
Republika e Kosovës
Data e fundit për dorëzimin e punimeve do të jetë: 15 nëntor 2016.