BQK shënon Ditën Botërore të Kursimeve me aktivitete virtuale

Për vite me radhë, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të publikut rreth rëndësisë së kursimeve dhe menaxhimit të duhur të parasë, BQK-ja ka shënuar këtë ditë me aktivitete edukative.

Derisa çdo vit janë pritur të rinj dhe nxënës të grupmoshave të ndryshme, këtë vit për arsye të Pandemisë Covid 19, sikurse edhe shumica e vendeve të botës edhe ne do ta shënojmë Ditën Botërore të Kursimeve vetëm përmes aktiviteteve virtuale e që kryesisht u janë dedikuar nxënësve të shkollave fillore.

Aktiviteti i parë është lancimi online i teksteve të edukimit financiar për klasat I deri në V në platformën e saj të edukimit financiar (http://edukimifinanciar.org/) në 4 gjuhët: në gjuhën shqipe, gjuhën serbe, gjuhën turke dhe në gjuhën rome.

Në kanalin Youtube të BQK-së (https://www.youtube.com/channel/UCgxLUYa6enevkWx9ufjqaSg), sot do të publikohet edhe versioni i teksteve me zë.

Tekstet përmbajnë këshilla rreth menaxhimit të duhur të parasë, krijimit të shprehisë së kursimeve, planifikimit të buxhetit personal e familjar, funksionimit bazik të një banke, zhvillimit të aftësive themelore të ndërmarrësisë, e shumë këshilla tjera të vlefshme për nxënësit e këtyre moshave.

Aktiviteti i dytë që kemi disenjuar është shpallja e konkursit për fëmijë me tematikën e kursimeve me moton: “Me kursime të vogla për qëllime të mëdha”, përmes të cilit ftojmë nxënësit e klasave VI deri IX, që të përgatitin Ese për kursimet dhe t’i dërgojnë në mënyrë elektronike në BQK.

Qëllimi i këtij konkursi është që të nxitim fëmijët të mësojnë më shumë rreth rëndësisë së kursimeve.

BQK do të ndajë 10 çmime me rastin e përzgjedhjes së punimeve, ndërsa punimet fituese do të shpërblehen me shpërblime simbolike, kurse të interesuarit konkursin e plotë mund ta gjejnë të publikuar në faqen zyrtare të BQK-së (www.bqk-kos.org).

Aktiviteti i III-të do jetë publikimi i punimeve fituese të nxënësve nga konkursi i vitit të kaluar, të cilat  mund t’i gjeni në platformën e edukimit financiar të BQK-së (http://edukimifinanciar.org/).

Thonë që “Një euro e kursyer është një euro e fituar” dhe unë uroj që ky mesazh dhe këto aktivitete edukative të ndërmarra nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, do të ndikojnë sado pak që të ju inkurajojnë të gjithë juve të jeni më të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e kursimeve dhe menaxhimin e duhur të parasë.

Mesazhi i Guvernatorit Mehmeti për Ditën Botërore të Kursimeve: https://youtu.be/nHTzrssOFUo