BQK publikoi statistikat për sektorin e jashtëm për tremujorin e katërt të vitit 2014 dhe për muajin janar 2015

01/04/2015

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës publikoi statistikat e sektorit të jashtëm me të dhënat për tremujorin e katërt 2014 dhe për muajin janar 2015. Të dhënat janë publikuar në kuadër të Serive Kohore në faqen e internetit të BQK-së sipas kalendarit paraprak të publikimeve. Statistikat e sektorit të jashtëm përfshijnë statistikat e bilancit të pagesave, pozicionit të investimeve ndërkombëtare, statistikat e borxhit të jashtëm të Kosovës, remitencat, investimet e huaja direkte, investimet në letra me vlerë jashtë vendi, etj.
BQK-ja ka bërë avancim në përpilimin dhe publikimin e statistikave të bilancit të pagesave, duke rritur periodicitetin nga tremujor në mujor dhe shkurtuar afatin e publikimit nga t + 90 ditë në t + 60 ditë. Paraprakisht është avancuar sistemi i sigurimit dhe përpunimit të të dhënave të cilat tani janë adekuate për të përmbushur afatet kohore (t+60) dhe periodicitetin në bazë mujore. Indikatorë të rëndësishëm ekonomik të Kosovës të cilët janë nën-komponentë të bilancit të pagesave, si bilanci tregtar, remitencat, investimet e huja direkte, asetet rezervë, etj., tani e tutje do të publikohen në baza mujore. Për më shumë, janë përgatitur dhe publikuar edhe seritë kohore për dymbëdhjetë muajt e vitit të kaluar për të siguruar një analizë dhe krahasueshmëri të trendeve të fundit në bilancin e pagesave të Kosovës.
Të dhënat e publikuara janë në përputhje me standardet statistikore ndërkombëtare dhe ofrojnë një shkallë të lartë të krahasueshmërisë me ato të vendeve të tjera. Këto informata njëkohësisht publikohen edhe në FMN në kuadër të publikimit “Statistikat Financiare Ndërkombëtare” (anglisht: International Financial Statistics – IFS) dhe në Bankë Botërore në kuadër të publikimit “Statistikave Tremujore të Borxhit të Jashtëm” (anglisht: Quarterly External Debt Statistics – QEDS).
Më poshtë është dhënë një pasqyrë e përmbledhur, që karakterizon statistikat e sektorit të jashtëm për tremujorin e katërt 2014. Në fund është paraqitur edhe një shtojcë statistikore lidhur me komponentët kryesorë të statistikave të sektorit të jashtëm. Për më shumë klikoni këtu.