BQK publikoi statistikat e reja për normat e interesit të aplikuara për kredi dhe depozitë

26/10/2015

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar informata të reja statistikore lidhur me normat e interesit të aplikuara nga bankat komerciale në kredi dhe depozitë, duke bërë kështu një hap të madh në rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e gamës së statistikave. Statistikat e reja të publikuara sot janë një përgjigje në kërkesat e reja për më shumë informata për normat e interesit. Këto statistika ofrojnë informata të detajizuara, për normat e interesit për kredi dhe depozita të klasifikuara sipas sektorëve institucionalë (ndërmarrje dhe ekonomi familjare), sektorëve ekonomikë (bujqësi, prodhim, shërbime dhe sektorë të tjerë), qëllimit të huazimit (kredi investive ose për konsum), afatit, etj. Karshi informatave për normat e interesit, BQK-ja ka publikuar edhe informata të plota lidhur me vlerat e kontratave të reja për muajt referues (shuma në euro për depozitë dhe kredi).
BQK-ja njëkohësisht ka përgatitur informata dhe shpjegime të nevojshme lidhur me kalimin nga versioni i kaluar në version të ri. Të dhënat e publikuara më parë janë përshtatur në formën e re të publikimeve. Me këtë rast BQK-ja ofron në faqen e saj të internetit, si dhe në kuadër të vetë dokumentit që publikohet, një matricë konvertimi në të cilën komponentët standardë nga verzioni i kaluar përputhen me komponentët standardë sipas verzionit të ri. Informacione të plota për normat e interesit janë publikuar sot në faqen e BQK-së në kuadër të Serive Kohore (linku: http://bqk-kos.org/?id=55/). Statistikat për normat e interesit publikohen nga BQK-ja në faqen e vet të internetit sipas kalendarit të publikimeve: 25 ditë pas përfundimit të muajit referues.
Përpilimi i normave të interesit është i bazuar në standardet ndërkombëtare, si Manuali mbi Statistikat e Normës së Kamatave i publikuar nga Banka Qendrore Evropiane, Manuali i Statistikave Monetare dhe Financiare i publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe praktika të tjera më të mira nga vende të ndryshme. Informacionet e plota për mbledhjen e të dhënave për normat e interesit, metodologjinë dhe praktikat e shpërndarjes janë të prezentuara në dokumentet e BQK-së: Raporti mbi Normat e Kamatës dhe Metodika e Statistikave Monetare dhe Financiare.