19/09/2018
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) sot publikoi numrin e 13-të të Raportit të Stabilitetit Financiar (RSF), dokument ky që publikohet dy herë në vit. E veçanta e këtij edicioni të RSF-së është avancimi në përmbajtje dhe cilësi në funksion të sigurimit të objektivit parësor të BQK-së, atë të ruajtjes së stabilitetit financiar përmes identifikimit dhe vlerësimit të rreziqeve që kanosin sistemin financiar dhe infrastrukturën e tij.
Raporti synon jo vetëm të informojë publikun mbi pozitën e stabilitetit financiar në vend, por edhe të nxisë debatin profesional mbi zhvillimet dhe sfidat e sistemit financiar të vendit dhe infrastrukturës së tij.
Rrjedhimisht, në gjysmën e dytë të vitit 2017, zhvillimet me ndikim në stabilitetin financiar ishin të favorshme, duke ndikuar që sistemi financiar të vazhdojë të karakterizohet me qëndrueshmëri të lartë. Sektori bankar vazhdon të karakterizohet me stabilitet të lartë, vlerësuar në bazë të nivelit të treguesve të performancës dhe shëndetit financiar. Indeksi i agreguar i rrezikut të sektorit bankar ka shënuar rënie krahasuar me vitin paraprak, i ndikuar kryesisht nga rënia e rrezikut kreditor. Rezultatet e analizës stres-test sugjerojnë aftësi të lartë të sektorit bankar për të përballuar tronditjet e mundshme në portfolion kreditore dhe atë të likuiditetit nën supozimin e skenarëve hipotetik të moderuar, si dhe atyre më të rënduar. Ngjashëm, sektorët tjerë përbërës të sistemit financiar si sektori pensional, mikrofinanciar dhe sektori i sigurimeve u karakterizuan me rritje të aktivitetit dhe përmirësim të performancës financiare, përderisa edhe treguesit e shëndetit të këtyre sektorëve janë në nivele të kënaqshme. Pritjet për vitin 2018 janë që rritja ekonomike të përshpejtohet, duke krijuar rrethana të favorshme për vazhdimin e rritjes së kreditimit të qëndrueshëm dhe mbështetjen e stabilitetit të profitabilitetit dhe kapitalizimit të sektorit bankar. Informatat e detajuara për të gjitha zhvillimet e lartcekura janë të shpalosura në mënyrë të zgjeruar në Raportin i cili është i publikuar në faqen zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe shkarkohet në linkun https://bqk-kos.org/repository/docs/2018/BQK_FSR_13.pdf.