16/12/2011
Më 19 dhjetor 2011, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës prezanton numrin e dytë të Raportit të Stabilitetit Financiar të Kosovës. Me këtë rast, Guvernatori Gërguri do të mbajë një fjalim hyrës, ndërsa prezantimin gjithëpërfshirës të Raportit do ta bëjë Arben Mustafa, drejtor i Departamentit për Stabilitet Financiar dhe Analiza Ekonomike në BQK.
Ky Raport i Stabilitetit Financiar synon të informojë publikun e gjerë, profesionistët dhe autoritetet vendimmarrëse mbi zhvillimet në sektorin financiar, me fokus të veçantë në sektorin bankar, duke identifikuar brishtësitë dhe rreziqet që kërcënojnë stabilitetin e këtij sektori i cili edhe paraqet objektivin primar të BQK-së.
Duke informuar publikun mbi gjendjen e sektorit financiar, BQK synon të ngritë transparencën dhe të nxitë debatin profesional mbi zhvillimet dhe sfidat e sektorit financiar të vendit tonë.
Raporti trajton zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare ndërkombëtare dhe ato në vendin tonë, ndërsa krahas interpretimit të rezultateve të anketës mbi kreditimin bankar në Kosovë, Raporti përmban edhe punime kërkimore të stafit të BQK-së në temat si ajo e përcaktuesve të kredive joperformuese në vendet e tranzicionit si dhe atë të përcaktuesve të investimeve të emigrantëve.
Vlen nënvizuar se me këtë rast, do bëhët edhe shpërndarja e Mirënjohjeve të Veçanta të BQK-së për të arritura të veçanta të stafit të saj në fushën e njohjes ndërkombëtare të punës kërkimore, atë të pranimit ndërkombëtar të kompetencës profesionale si dhe në fushën e përfaqësimit ekzemplar të BQK-së në seminare ndërkombëtare .