19/03/2024
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë, ka nënshkruar Marrëveshje të Mirëkuptimit me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të avancuar bashkëpunimin dhe mbështetur aspektin akademik, avancimin e njohurive ekonomike dhe financiare, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin për projekte të përbashkëta në fushën e ekonomisë, financave dhe edukimit financiar.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili potencoi se ky Memorandum pritet të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë e financave në përgjithësi dhe edukimit financiar në veçanti. Nisma të tilla do të konkretizohen edhe me bartësit tjerë të arsimit të lartë në Kosovë, meqë BQK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në këtë fushë të ndikimit, në pajtim me Planin Strategjik të saj.
Përmes ligjëratave të dakorduara në fushën e ekonomisë, banka dhe financa, si dhe aktiviteteve tjera të përbashkëta, kjo nismë ka për qëllim kontributin në reduktimin e hendekut midis kërkesave të tregut të punës dhe edukimit. Veprimet e përbashkëta do të kontribuojnë në avancimin e dijes dhe zhvillimin e sektorit ekonomik në përputhje me objektivat e të dyja institucioneve.
"Aktivitetet e përcaktuara në këtë Memorandum do të ndihmojnë në avancimin e bashkëpunimit midis BQK-së dhe Fakultetit Ekonomik, duke kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë dhe financave. Zhvillimet në sektorin financiar janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të një vendi. Sektori financiar është pjesë integrale e strukturës ekonomike dhe ka një ndikim të madh në shumë aspekte të ekonomisë së një vendi", potencoi Guvernatori Ismaili me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes.
Përmes këtij Memorandumi, BQK-ja synon të ndërtojë një platformë të përbashkët me Fakultetin Ekonomik, ku do të mund të zhvillohen projekte dhe iniciativa të përbashkëta për të ngritur dhe avancuar njohuritë edukative ekonomike dhe financiare në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të njohurive për çështjet ekonomike dhe financiare për të rinjtë.
Shkëmbimi i publikimeve dhe të dhënave, ligjëratat për studentët, angazhimi i ekspertëve, bashkëpunimi hulumtues, mundësia e praktikës për studentët, shqyrtimi i kurrikulës dhe organizimi i ligjëratave me ekspertët e BQK-së, janë disa nga aktivitetet e zotuara nga BQK në këtë Memorandum.
Marrëveshja shpreh vullnetin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm dhe konstruktiv për të kontribuar në rritjen e stabilitetit ekonomik dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.
Pas nënshkrimi të këtij Memorandumi, Guvernatori Ismaili para studentëve të Fakultetit Ekonomik mbajti ligjëratën me titull "Banka Qendrore dhe roli i saj në sistemin financiar të Republikës së Kosovës" dhe në fund hapi zyrtarisht edhe thirrjen për çmimin vjetor “Ekonomist i ri”.