BQK merr masa ndaj institucioneve që ushtrojnë aktivitet financiar të palicencuar

30/07/2015

Bazuar në Ligjin nr. 04/L-093 për Bankat ,IMF dhe Institucionet  Financiare Jobankare, në nenin 5 është specifikuar dhe është e rregulluar fushëveprimi i operimit të institucioneve financiare të licencuara. Sipas legjislacionit në fuqi, asnjë person në territorin e Republikës së Kosovës nuk mund të merret me veprimtari financiare pa licencë të lëshuar nga BQK-ja, e cila ka përgjegjësi ekskluzive ligjore për rregullimin, licencimin, regjistrimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha institucioneve financiare në Republikën e Kosovës.

Dje  nga ana e policisë së Republikës së Kosovës është kryer një aksion në selinë e “Jugobankës” në Graqanicë, në të cilin kanë asistuar  zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK)  të cilët kanë konstatuar se aktiviteti, që ushtrohet nga “Jugobanka” në Graçanicë është në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, që ndalon përfshirjen në aktivitete bankare ose ndërmarrjen e çfarëdo aktiviteti financiar pa licencë të vlefshme të lëshuar nga BQK-ja. Rrjedhimisht është konstatuar se aktiviteti i ushtruar nga “Jugobanka” në Graqanicë duhet të ndërpritet menjëherë.

Ndërsa  në veri të Mitrovicës , ndërmarrja e veprimeve ka qenë e pamundur për shkak të rezistencës dhe pengimit që i është bërë personave zyrtarë, nga ana e stafit të “ Jugobankës” dhe turma e grumbulluar  e njerëzve .

Aktualisht në Kosovë ka institucione të licencuara që vijnë nga Serbia siç është fjala për Komercijalna Banka ad Beograd, e cila ka licencë të vlefshme nga BQK-ja dhe ushtron veprimtarinë dhe kryen të gjitha funksionet duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

BQK-ja mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me institucionet relevante shtetërore të ndërmarrë masat adekuate ligjore ndaj çdo institucioni, që ushtron aktivitet financiar të palicencuar.