20/06/2023
Ushtruesi i detyrës së zëvendësguvernatorit për mbikëqyrje financiare, Nexhat Kryeziu, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës, për promovimin e Financimit të Qëndrueshëm dhe Standardeve Ambientale, Sociale dhe Qeverisëse.
Vlerësimi dhe menaxhimi i rreziqeve financiare që rrjedhin nga ndryshimet klimatike dhe mjedisore, është njëra nga sfidat me të cilat po përballen autoritetet mbikëqyrëse dhe rregullative, përfshirë edhe sektorin financiar.
“Fakti që jemi mbledhur këtu për të diskutuar sfidat e ndryshimeve klimatike dhe mjedisore së bashku; rregullatorë, banka dhe organizata ndërkombëtare (siç është IFC), tregon se ky aspekt aktualisht është një nga çështjet urgjente dhe më të diskutuara në nivel të politikë-bërjes në aspektin global. Siç edhe e dini, si pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova ka miratuar Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Samitin e Sofjes, në nëntor 2020, e cila është një udhërrëfyes gjithëpërfshirës strategjik lidhur me ndryshimet klimatike. Kjo agjendë tregon rrugën drejt zgjidhjeve të reja të energjisë, që nënkupton rritjen e investimeve në burime të ripërtërishme, si dhe zhvillim të qëndrueshëm mjedisor.
Sektori bankar paraqet komponentin kryesor të sistemit financiar të Kosovës, ku ndikimi i tij në ekonominë e Kosovës është shumë domethënës. Njëkohësisht, duke marrë parasysh që në aspektin global bankat kërkohet të luajnë rol të rëndësishëm në tranzicionin drejtë ekonomisë së gjelbër, është detyrë e jona si autoritet rregullativ të sigurojmë që bankat nën mbikëqyrjen tonë, t'i adresojnë këto rreziqe në mënyrë adekuate dhe proaktive. Rrjedhimisht, ne në Bankën Qendrore, jemi të bindur se sektori financiar i Kosovës në përgjithësi, e sektori bankar në veçanti, do të ketë kapacitetet për të absorbuar reforma të tilla”, ka thënë Zëvendësguvernatori Kryeziu.
Si pjesë e angazhimit të BQK-së për të integruar rreziqet klimatike dhe mjedisore në praktikat mbikëqyrëse, në bashkëpunim me Bankën Botërore është duke u hartuar një strategji, e cila do të finalizohet gjatë këtij viti, ku do të definohen rekomandimet dhe kërkesat mbikëqyrëse për menaxhimin e rreziqeve të lidhura me ndryshimet klimatike dhe mjedisore. Elementet kryesore të Strategjisë 2024-2026 përfshijnë veprimet si:
• Përgatitja e një tabele të gjelbër, ku do të vlerësohen indikatorët e ekonomisë së gjelbër në ekonominë e Kosovës dhe në sistemin financiar,
• Nxjerrja e standardeve, ku do të përshkruhen parimet që sektori bankar do të duhet t’i implementojë gjatë identifikimit, menaxhimit, kontrollit dhe raportimit të rreziqeve klimatike,
• Definimi i kornizës së raportimit lidhur me raportimin e ekspozimit të bankave ndaj rreziqeve klimatike dhe mjedisore,
• Implementimi i stres testit makroprudencial për rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe
• Përgatitja metodologjisë për vlerësimin e rreziqeve klimatike dhe integrimi i plotë i tyre në aktivitetet mbikëqyrëse të BQK-së.
“Gjithashtu, ne tashmë kemi aplikuar për t’u anëtarësuar në Rrjetin për Gjelbërimin e Sistemit Financiar, i cili është një rrjet prej 121 bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse financiare prestigjioze, që synon të përshpejtojë rritjen e financimit të gjelbër dhe të zhvillojë rekomandime për rolin e bankave qendrore për ndryshimet klimatike. Shpresojmë që së shpejti të bëhemi pjesë e këtij rrjeti prestigjioz të bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse financiare. Mbikëqyrja dhe menaxhimi i rreziqeve klimatike dhe mjedisore paraqet një udhëtim të gjatë drejt një teme të re dhe komplekse për të gjithë ne. Mirëpo, duke u angazhuar dhe punuar së bashku do t’i tejkalojmë këto sfida më lehtë dhe trajtojmë ndryshimet klimatike dhe mjedisore në kohë”, ka thënë tutje Zëvendësguvernatori Kryeziu, duke premtuar se BQK-ja do të jetë partner në realizimin e këtij tranzicioni.