BQK ka permbushur me sukses objektivat e saja te parapara me Ligjin e BQK-se

31/07/2012

Fjala e Guvernatorit Gërguri në Konferencën me gazetarë lidhur me Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2011, mbajtur më 31 korrik 2012, BQK.
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Vitin 2011, Kosova e ka përmbyllur me një performancë stabile makroekonomike të përcjell me disciplinë fiskale dhe stabilitet financiar që bashkë me ecuritë tjera kanë për emërues të përbashkët normën e rritjes së Prodhimit Bruto të Brendshëm prej 5%.
Megjithatë, deficiti i lartë në llogarinë rrjedhëse vazhdon të mbetet sfidë për ekonominë e vendit tonë. Nisur nga fakti se bartësi kryesor i këtij deficiti vjen nga kategoria e mallrave të importuar, atëherë kjo sfidë duhet pare jo vetëm si “kërcënim” por edhe si mundësi të gjerë pikënisjeje për rishikim të modelit të rritjes ekonomike në të ardhmen.
Vitin 2011, BQK-ja e ka përmbyllur me sukses duke përmbushur objektivat e saja të parapara me Ligjin e BQK-së. Sektori financiar ka reflektuar stabilitet dhe shëndetshmëri financiare. Në veçanti, sistemi bankar ka vazhduar me rritje si të depozitave ashtu edhe të kredisë duke reflektuar gjatë gjithë kohës kapitalizim të mirë dhe atë përmbi kërkesat rregullative, likuiditet  të kënaqshëm – duke përmbushur në çdo kohë kërkesat e klientëve si dhe shkallë njëshifrore (5.7%) të kredive joperformuese.
Është evidentuar trend rënës i koncentrimit në tregun bankar si dhe trend rënës në normën mesatare të interesit si në depozita ashtu edhe në kredi. Është pozitive që ky trend po vazhdon edhe në vitin 2012.
Edhe korporatat tjera financiare reflektuan me rezultate pozitive gjatë vitit 2011. Janë rritur asetet dhe numri i polisave të sigurimit, ndërsa fondet pensionale kanë pasur kthim pozitiv.
BQK edhe në vitin 2011 ka vazhduar të ofrojë shërbime cilësore për autoritetet, sektorin financiar dhe publikun si në fushën e furnizimit adekuat me para të gatshme dhe menaxhimin efektiv dhe efikas të sistemit ndërbankar të pagesave përfshirë edhe menaxhimin e mjeteve të klientëve të saj. E njëjta vlen edhe për menaxhimin e Regjistrit të kredive dhe avancimin e statistikave dhe analizave ekonomike e financiare.
Gjatë vitit 2011, BQK ka avancuar agjendën legjislative të sektorit financiar, ndërsa ndër projektet e veçanta vlen nënvizuar:
-    Finalizimi i të gjitha përgatitjeve për fillimin e Tregut të letrave me vlerë të qeverisë;
-    Themelimi i Fondit të sigurimit të depozitave;
-    Themelimi i Byrosë Kosovare të Sigurimit
-    Përmbushja e obligimeve nga Programi me FMN-në;
-    Realizimi i çështjeve të theksuara nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian;
-    Nënshkrimi i Marrëveshjes me Rregullatorin e sektorit financiar të Gjermanisë ‘BaFin’, etj.
Ndër Projektet që janë në zhvillim e sipër po veçoj sin ë vijim:
-    Konsolidimi i mëtejmë i industrisë së sigurimeve me mbështetje të Këshilltarit rezident nga Thesari amerikan;
-    Hartimi i Politikës dhe Strategjisë së tregut të banimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe me mbështetje të Këshilltarit rezident nga Thesari amerikan;
-    Hartimi i legjislacionit sekondar financiar me ndihmën e Këshilltarit rezident nga Banka Botërore;
-    Realizimi i Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar nga ana e FMN-së dhe Bankës Botërore mbi atë se sa është i qendrueshëm dhe i shëndoshë sektori financiar i Kosovës (këndveshtrimi i FMN) si dhe sa i njëjti i kontribuon zhvillimit ekonomik të vendit (këndveshtrimi Bankës Botërore);
-    Implementimi i zotimeve lidhur me Programin me FMN-në;
-    Avancimi i mëtejmë i sistemit të pagesave dhe vazhdimi i përpjekjeve për kyçje në SWIFT dhe Kartoni të gjelbër;
-    Zgjerimi i Programit të edukimit financiar si dhe diagnostifikimi i mbrojtjes së konsumatorit në tregun financiar të Kosovës.
***
Kur jemi tek pikëpamja për vitin 2012, duhet nënvizuar se:
-    Ekonomia e Kosovës pritet të rritet me rreth 3.8 për qind.
-    Sistemi financiar i Kosovës do të vazhdojë zgjerimin e aktivitetit duke ruajtur nivelin e lartë të qendrushmërisë.
-    Zhvillimet në ekonominë globale mund të ndikojnë në rrjedhën e tregtisë si dhe të kategorive të tjera të bilancit të pagesave siq janë dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja direkte.
Në fund, më lejoni të nënvizoj se BQK ka vazhduar të afirmojë sektorin financiar në botën e jashtme dhe atë:
-    Përmes promovimit të profilit të sektorit financiar në konferenca dhe publikime të ndryshme ndërkombëtare;
-    Pastaj, javën që vjen, BQK-në e viziton ekipi special i departamentit për marrëdhënie me publikun i FMN-së për të xhiruar një dokumentar mbi BQK-në dhe Kosovën si një ndër tregimet më të suksesshme të shfrytëzimit produktiv të asistencës teknike të FMN-së. Ky dokumentar planifikohet të shfaqet gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, në tetorin e këtij viti, në Tokio të Japonisë. Në këtë dokumentar, krahas të arriturave në fusha të caktuara, në plan të parë do të paraqiten edhe ekspertët e BQK-së: Mentor Geci i cili në cilësinë e ekspertit për statistika monetare e financiare ka qenë në mision në BeH dhe në Trinidad e Tobago si dhe Bedri Zymeri i cili po bëhet gati që në cilësinë e ekspertit të bilancit të pagesave të niset në mision në Botswana, gjatë javës që vjen.
Dhe ky ndoshta është momenti më adekuat për të komplimentuar  këtu punën jo vetëm të stafit të lartcekur, por njëmend të tërë punonjësve të BQK-së për vitin 2011, përfshirë punën e tyre edhe në përpilimin gjithëpërfshirës të këtij Raporti vjetor.

Ju falemnderit!