01/11/2019
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi është institucion i pavarur dhe përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare në Republikën e Kosovës.
Një ndër objektivat kryesore të saj është që të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, i cili ofron sigurinë e nevojshme për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve financiare.
Në këtë kuadër, njëra ndër fushat kryesore të përgjegjësisë së BQK-së ka të bëjë me sektorin e sigurimeve, ku BQK në vazhdimësi angazhohet për mbrojtjen e interesave të policëmbajtësve, duke siguruar kushtet e nevojshme që të dëmtuarit të trajtohen në përputhje me kushtet e përcaktuara me kontratën e sigurimit.
Për këtë qëllim, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, duke vepruar në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe duke u bazuar edhe në Raportin Vlerësues të Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar 2019 të kryer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka filluar procesin e rishikimit dhe vlerësimit të primit të rrezikut për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia.
Çmimet aktuale të primeve për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001.
Në këtë periudhe të gjatë që nga koha kur ato janë përcaktuar, në tregun ku operojnë kompanitë e sigurimeve kanë ndodhur zhvillime të shumta, të cilat në mënyra të ndryshme kanë pasur ndikim mbi kompanitë e sigurimeve si dhe policëmbajtësve dhe e kanë bërë të domosdoshëm inicimin e rishikimit të këtyre çmimeve në mënyrë që ato të reflektojnë në mënyrë më adekuate kushtet e tregut.
Në kuadër te faktorëve kryesorë që kanë ndikuar kushtet e tregut gjatë kësaj periudhe, përfshihen:
Si rezultat i zhvillimeve të lartcekura, është ndërmarr studimi aktuarial, i cili ka sugjeruar për rritje të tarifave të Kategorisë I (automjete me pasagjerë) për 36.56%. Megjithatë, BQK në vlerësimin e saj ka identifikuar disa faktorë të cilët nuk janë reflektuar plotësisht në raportin aktuarial, prandaj edhe ka refuzuar kërkesën e kompanive të sigurimit për ndryshim të tarifave duke u bazuar në atë raport. Sidoqoftë, BQK-ja vlerëson se kompanive të sigurimit duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të Kategorisë I për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018 në mënyrë që këto tarifa të sigurimit të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë.
Përshtatja e tarifave për kushtet e inflacionit ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e qëndrueshmërisë së këtij sektori, duke rritur kështu aftësinë e kompanive të sigurimit për kompensim të drejtë dhe me kohë të dëmeve për policëmbajtësit.
Prandaj, me qëllim që tarifat e sigurimit të reflektojnë më mirë zhvillimet në ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë të krijojnë kushtet për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, si dhe përmbushjes së rekomandimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikim të tyre, Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datën 31 tetor 2019, bazuar në nenin 36 paragrafi 1, nën paragrafi 1.17 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 8 paragrafi 5 të Ligjit nr. 04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, si dhe nenin 5 paragrafi 2, nenin 7, paragrafi 7 të Rregullores për përcaktimin e strukturës së primit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, ka marrë vendim për ndryshimin e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm nga auto-përgjegjësia për kategorinë e mjeteve për pasagjerë (grupi tarifor I).
Sipas këtij Vendimi, BQK-ja ka kërkuar nga siguruesit që t’i përshtatin tarifat aktuale të primit të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia për grupin tarifor I, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018. Përshtatja e tarifës së primeve përkatëse me inflacion duhet të bëhet duke zbritur normën e tatimit në qarkullim prej 5 përqind e cila ka qenë në fuqi deri më 25 korrik 2019 me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 06/L -105 për tatimin në të ardhurat e korporatave, ku siguruesit ju nënshtrohen tatimit në fitim.
BQK-ja do të intensifikojë angazhimin e saj me qëllim që sektori i sigurimeve të jetë në zbatim të plotë të legjislacionit dhe rregullativës në fuqi. Mos zbatimi i kërkesave të tilla nga Siguruesit do të përcillet me masa adekuate administrative, duke mos përjashtuar edhe revokimin e licencave për kompanitë të cilat nuk zbatojnë legjislacionin në fjalë.