BQK do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës në lehtësimin e procesit të tërheqjes së 10% të kursimeve pensionale nga qytetarët

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Sokol Havolli është takuar me Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministren e Financave, Hykmete Bajrami.

Në takimin ku merrnin pjesë edhe drejtuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) është diskutuar për ecurinë e procesit të zbatimit të nismës së Qeverisë së Kosovës për t’ua krijuar qytetarëve mundësinë që t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale nga FKPK-ja, me qëllim të zbutjes së pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid 19.

Me këtë rast, të gjitha palët u dakorduan të përshpejtojnë veprimet për ta lehtësuar këtë proces, duke u krijuar qytetarëve qasje më të lehtë në të dhënat e tyre dhe në shtjellimin e ecurisë së tërheqjes së kursimeve të tyre personale, pas ndryshimeve të nevojshme ligjore.