29/09/2020
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për të institucionalizuar përfshirjen e 5 teksteve të edukimit financiare në kurrikulën shkollore.
Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti tha se BQK-ja është e angazhuar në nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe se sektori financiar është një ndër kontribuuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës.
BQK, rëndësi të veçantë i kushton edhe Edukimit Financiar për të cilin ka punuar dhe ka investuar për ta avancuar për shumë vite.
“Projekti i Koleksionit të 5 Librave, projekt i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe i përkrahur nga Departamenti për Zhvillim i Fondit Evropian për Evropën Juglindore, EFSE DF, ka për qëllim që të pajisë nxënësit e shkollave fillore me koncepte bazike financiare, të cilat do t’i përcjellin gjatë tërë jetës së tyre pa marrë parasysh profesionin që ata do ta përzgjedhin në të ardhmen. Tekstet janë përgatitur nga ekspertë përkatës të fushës, tekstshkrues dhe ilustrator, në pajtueshmëri me kurrikulën bërthamë për arsimin fillor të Kosovës. Koleksioni përbëhet nga pesë Libra me tregime për fëmijë të moshave 6-10 vjeç, përkatësisht për nxënësit e klasave I–V, të arsimit fillor. Fokusi i Librave është edukimi financiar, me ç’rast fëmijët kanë mundësi të mësojnë në lidhje me tema financiare bazike të përzgjedhura për moshat përkatëse, gjithmonë bazuar në standardet e rekomanduara nga OECD. Përveç formës së shkruar, librat janë përgatitur dhe me zë (audio), në mënyrë që të jenë të përshtatshme edhe për fëmijët e verbër apo me të pamë të dobësuar dhe përveç gjuhës shqipe janë të përkthyera edhe në gjuhë të tjera siç është përcaktuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.
Librat do të shpërndahen në formë fizike nëpër shkollat fillore të të gjitha komunave të Kosovës, në formë elektronike përmes kanaleve të komunikimit të BQK-së dhe me Shoqatën/Shkollën e të Verbërve të Kosovës.
“Përfshirja e edukimit financiar në kurrikulë shkollore është mënyra më efikase, e qëndrueshme dhe afatgjatë për të arritur që njohuritë dhe shkathtësitë financiare të mësohen e zhvillohen në mënyrë të duhur dhe nga të gjitha gjeneratat në nivel vendi. Nxënësit e Kosovës sikurse edhe nxënësit e të gjitha vendeve tjera të botës tashmë janë pjesë e vlerësimeve të realizuara nga Organizata për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në kuadër të PISA-s, e ku si kapitull i veçantë bën pjesë edhe vlerësimi i njohurive në fushën e edukimit financiar”, tha tutje Guvernatori Mehmeti.
Ai falënderoi Ministrin Likaj dhe Fondin për Evropën Juglindore (Finance in Motion-EFSE), Zyrën në Kosovë për bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti.
Nga ana tjetër, Ministri Likaj shprehu përkushtimin e tij që bashkëpunimi me BQK-në në të mirë të edukimit financiar të nxënësve të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është e interesuar që të ngritë nivelin arsimor sa i përket edukimit financiar dhe konsiderojmë shumë të rëndësishëm që të procedojmë tutje, në këtë aspekt që fëmijët të mund të marrin njohuri dhe të përgatiten dhe të kenë vetëdijesim se si duhet shpenzuar dhe menaxhuar paranë. Nxënësve do t’i shpërndahen libra në këtë vit nga klasa 1-5 në tërë territorin e Kosovës mbi 900 shkolla dhe përveç gjuhës shqipe tekstet do të jenë dhe në gjuhë të komuniteteve, tekstet janë në përputhje me kurrikulat e sistemit tonë arsimor dhe janë të përgatitura nga njohës të fushave, andaj Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të jetë përherë në kontakt me shkollat dhe Drejtoritë Komunale te Arsimit që t’i marrim rezultatet se si do të ndikojnë këto tekste te nxënësit tonë”, theksoi ministri Likaj.
Christoph Tiskens, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE, në fjalën e tij hapëse theksoi rëndësinë e realizimit të këtij projekti, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar në projektet e ardhshme.
“Është një nder që Ministria e Arsimit e njeh këtë punë me nënshkrimin e sotëm. Kjo tregon vlerën që Ministria i kushton edukimit financiar si mjet themelor për sukses në të ardhmen. EFSE qëndron së bashku me partnerë si, Banka Qendrore e Kosovës dhe Ministria e Arsimit për të bërë një ndryshim pozitiv për sipërmarrësit e sotëm dhe për brezin e ardhshëm të qytetarëve”, deklaroi Tiskens.
Ndërkaq Markus Aschendorf, kryesues i Departamentit për Zhvillim të EFSE-s theksoi: “Ky është një moment historik në bashkëpunimin tonë të gjatë me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Ne kemi punuar së bashku për vite në rritjen e aftësive financiare të sipërmarrësve dhe popullatës në përgjithësi si një mjet për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe zhvilluar ekonominë. Bashkëpunimi ynë përfshin krijimin e Qendrës për Edukim Financar në vitin 2017 – për të cilën ky projekt fenomenal është një shtyllë thelbësore. Shprehitë e mira në menaxhimin e parave fillojnë që në moshë të re. Si një fond i përkushtuar për financim të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, ne jemi të kënaqur të kontribuojmë në projekte me ndikim pozitiv për suksesin dhe stabilitetin e gjeneratës së ardhshme të Kosovës ".
Objektivë e Programit të Edukimit Financiar të BQK-se është që me aktivitetet dhe materialet edukative të përfshijë të gjitha grupmoshat e qytetarëve të Kosovës, megjithatë fokus primar ka nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë.
Krijimi i shprehive adekuate për menaxhimin e të hollave krahasohet me krijimin e shprehive esenciale të jetës, rrjedhimisht institucionalizimi i edukimit financiar në shkolla është hap tejet i rëndësishëm.
Në këtë mënyrë do të arrijmë që të sigurojmë qëndrueshmëri, vazhdimësi e sukses në instalimin e një kulture të mirëfilltë financiare.