25/06/2009
Sot, më 25 qershor 2009, në prani të medieve të shkruara, elektronike dhe atyre vizive është prezantuar Raporti vjetor 2008 i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Në këtë konferencë lidhur me përmbajtjen e Raportit të vitit 2008, si dhe me të rejat e sistemit financiar para medieve prezantuan :Guvernatori i BQK-së z. Hashim Rexhepi, zëvendësguvernatori z. Gani Gërguri , zëvendësguvernatori z.Nexhat Kryeziu dhe inspektori gjeneral z. Agron Dida. Të pranishmit patën rastin që në pika të shkurtra por gjithëpërfshirëse të njihen me rrjedhat, proceset, të arriturat dhe zhvillimet e periudhës raportuese 2008, por edhe me sfidat nëpër të cilat pritet të përballet sistemi financiar gjatë këtij viti. Për më tepër Raporti vjetor 2008 është një përmbledhje e zhvillimeve kryesore në ekonominë botërore, evropiane, ballkanike dhe atë kosovare.
Zhvillimet në ekonominë kosovare janë paraqitur nëpërmjet të rejave më të fundit në fushën monetare, fiskale, sektorin e jashtëm dhe atë real. Përveç kësaj Raporti vjetor përmban informacione në lidhje me aktivitetet e BQK-së, në lidhje me mbikëqyrjen financiare, sistemin e pagesave dhe zhvillimet e brendshme organizative.